Ecuria fantastike bashkë me dis tancën e konsiderueshme në krye janë zbehur ndjeshëm dhe te Vllaznia ka nevojë për analiza, në mënyrë që të gjenden shkaqet e mungesës së rezultateve. Ish kapiteni i kuqebluve, Elvin Beqiri shprehet ekskluzivisht për “Panorama Sport” se ekipit në këto momente po i mungon përgatitja fizike.
Jo vetëm kaq, por sipas tij ka edhe një ngërç psikologjik që e pengon për të shkuar te maksimumi. Megjithëse, Beqiri shpreh besimin për një rikthim të Vllaznisë që në ndeshjen ndaj Kukësit, e shikon të vështirë luftën për titull deri në fund. Por, në fund e vendos ekipin shkodran në listën e pjesëmarrëseve në kompeticionet Europiane.
Si e shpjegoni rënien e Vllaznisë, çfarë ka ndikuar?
Duke parë paraqitjet e ekipit në ndeshjet e fundit, mendoj se Vllaznia po shfaq probleme fizike dhe psikologjike, të cilat kanë ndikuar në mosmarrjen e rezultateve pozitive.
Për çfarë ju vjen keq nga humbja në Durrës? Ç’mund të bënte më tepër ekipi?
Nga humbja e fundit më vjen keq që ekipi nuk mori të paktën një pikë. Në 20 minutat e fundit, Vllaznia kishte mundësi të barazonte dhe do të mbante përsëri distancën e pikëve me një ndër ekipet rivale për titullin kampion, siç është Teuta.
Nga 9 pikë diferencë, vetëm 1. A rrezikohet edhe Europa nga kjo ecuri?
Në kampionat ka akoma shumë ndeshje dhe Vllaznia e ka mundësinë për të rikuperuar pikët e lëna në sfidat e fundit. Çdo gjë varet nga vetë lojtarët, nëse do të rikthehen tek forma e ndeshjeve të fillimit, apo jo. Gjithçka është ende në dorën e tyre…
Fakti që klubi është në proces privatizimi, sa ka ndikuar në skuadër?
Nuk besoj se ka ndikuar, sepse si stafi edhe lojtarët, janë profesionistë dhe nuk mendoj që janë shpërqendruar tek zhvillimet administrative të klubit.
A mendoni se do të bëhet licencimi për Europën?
Kryesorja është që klubi të arrijë objektivat e sezonit, pastaj ato janë pjesë tjetër që i takon të zgjidhet nga stafi drejtues i klubit, nga presidentja Znj.Ademi e të tjerët me radhë. Së pari, skuadra të bëjë të vetën, pastaj mendoj se të tjerat e kanë zgjidhjen.
Kukësi vjen në një moment delikat, a besoni te kthesa e Vllaznisë?
Kam besim që ekipi do të kthehet te fitorja, pavarësisht se përballjen e ka me një ekip të fortë si Kukësi. Ekipi duhet të reagojë patjetër në qoftë se kërkojnë të jenë pretendentë për kampion apo për Kupat e Europës.
4 ekipe për titull, sa shanse ka Vllaznia në këtë garë?
Përveç 4 ekipeve të para, mendoj që edhe Kukësin do të jenë pretendentë deri në fund. Kjo do të vendoset në javët në vazhdim, kur dhe do të përballen me njëra-tjetrën. Kjo sepse nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve. Vllaznia është ekipi që do të ketë më shume shanse për kampion sepse është ende në vend të parë.