Antonio Noçerinon jemi mësuar që ta shohim në ekranet e televizioneve, si pjesë e Juventusit apo dhe Milanit, Parmës, Palermos Torinos apo Uest Hemit, si dhe me Shpresat dhe Kombëtaren italiane si lojtar i spikatur.
Por, ai i është futur rrugës së trajningut dhe nuk është çudi që ta shohim në stolin e një skuadre të njohur së shpejti në vendin tonë, e cila për italianin pritet që të jetë edhe si “trampolinë” duke qenë se është vetëm 36 vjeç.
Moda e italianëve në fakt, në Fier është bërë e njohur, pasi këtë sezon kanë drejtuar dy trajnerë në elitë skuadrën me tradita të Apolonisë. E nisi Xhovani Kolela, një trajner që edhe pse nuk la gjurmë kishte “CV” të pasur duke krahasuar me italianët që kanë drejtuar më parë në vendin tonë.
E pas tij, një emër i njohur si lojtar në Serinë A. Fabrizio Kamarata. Në fakt, në Fier e presin edhe pse italiani nuk po duket.
Ndaj edhe duket se drejtuesit duan që të ndjekin një strategji për të rritur imazhin në klub dhe shihet si një alternativë Antonio Noçerino. Madje, drejtuesit fierakë mendojnë që edhe struktura të klubit t’ua besojnë italianëve, si përgatitës atletik-ndihmëstrajner, apo dhe përgatitës portierësh.
Kujtojmë që një emër i njohur, italiani Deli Karri, bashkëpunon me Apoloninë, ndërsa në Fier pritet që të ketë prioritet edhe Akademia, pasi skuadra fierake synon që të shesë talentet e saj dhe për sezonin e ardhshëm të jetë kandidate potenciale për t’u rikthyer në elitë./vipsport/