Kombëtarja shqiptare e futbollit ka patur gjithmonë në radhët e saj emra të spikatur në arenën ndërkombëtare, lojtarë të cilët kanë arritur të lënë gjurmë në klube të rëndësishme në kampionatet më të fortë në Europë.

Por si rrallëherë në parë, Shqipëria ka edhe falë statistikave të UEFA-s një lojtar që organizata e futbollit e rendit mes 100 më të mirëve në Europë.

Prej 4 vitesh, në faqen e saj të Internetit, UEFA publikon një renditje statistikore të të gjithë futbollistëve në Europë, duke marrë për bazë paraqitjet e tyre me kombëtaret dhe tashmë , në Top 100 është një prej lojtarëve të përfaqësueses shqiptare.

Berat Gjimshiti, pasi ka bërë emër me Atalantën, duke u kthyer në një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Serinë A, po përsërit të njëjtat paraqitje edhe me fanellën e Shqipërisë dhe falë statistikave të regjistruara nga ai ndeshje pas ndeshje, tani ka arritur kuotën e 1357 pikëve dhe vendin e 98 mes futbollistëve të të gjithë Europës.

Aspak keq kur sheh se renditet përkrah Kanselo, apo më mirë se sa Zinçenko e Rudiger të cilët janë protagonistë me skuadra pjesëmarrëse në Europian. Një tjetër vërtetim se sa hapa para ka bërë Gjimshiti, i cili tashmë është një nga kolonat më të forta ku mbështetet përfaqësuesja kuqezi. /vipsport/