Lutz Pfanenshtil, ish-portieri i Vllaznisë në Kategorinë Superiore, ka nisur dje zyrtarisht punën si drejtor sportiv në klubin e Fortuna Dyseldorf. Pa kaluar 24 orë, ai i është gëzuar një suksesi shumë të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi klubi i cili deri pak ditë më parë mbante vendin e fundit në renditjen e kampionatit, i ka shkaktuar Borusia Dortmund humbjen e parë në kampionat.

Përballë kryesuesve të cilët në këtë sezon dukeshin të pandalshëm në kampionat, Dyseldorf gjeti avantazhin me Lukebakio në pjesën e parë dhe pastaj dyfishoi shifrat me Zimer në fillimin e të dytës.

Borusia vetëm arriti të shkurtonte shifrat me Alkaser kur mbeteshin 10 minuta nga fundi i ndeshjes, por nuk mund të gjente më rrugën e rrjetës në minutat e mbetura të takimit.

Këtë situatë e ka shfrytëzuar më së miri Borusia Mynshengladbah, që fitoi 2-0 me Nyremberg, duke shkurtuar në 6 pikë diferencën nga vendi i parë i cili kishte nisur arratinë. /vipsport/