Çdo ditë e më tepër tek Vllaznia po flitet për domosdoshmërinë e ardhjes së një presidenti në krye të saj. Historia në fakt ka treguar se me një biznesmen në këtë post, ecuria ka qenë më e mirë.
Njëri prej tyre ka qenë edhe Agron Çela, ai që e drejtoi klubin shkodran për 3 vite e gjysëm në dy periudha të ndryshme. Herën e parë e mori në verën e vitit 2003, menjëherë pas vdekjes së ish- presidentit Myftar Çela. E drejtoi deri ne vitin 2006, për ta kaluar tek Valter Fushaj më pas.
Ndërkohë e mori sërish në janarin e vitit 2013 dhe e drejtoi për 6 muaj sepse pas zgjedhjes në postin e deputetit, dha dorëheqjen nga Vllaznia, ngaqë ishte e pamundur t’i bënte të dyja këto punë.
Drejtuesit e Bashkisë angazhuan një grup biznesmenëshme në krye Agron Çelën për t’u marrë me drejtimin e Vllaznisë. Fotoja e këtij shkrimi i takon pikërisht asaj periudhe, vitit 2003.
Ai është aty bashkë me dy zëvendëspresidentët Valter Fushaj dhe Xhevdet Amuli, kryetarin e Këshillit të Qarkut në atë periudhë Lorenc Luka, ish- nënkryetarin e Bashkisë Rudolf Rasha, pjestarët e stafit teknik Dervish Haxhiosmanoviç, Esat Rakiqi e Paulin Ndoja, sekretarin e klubit Ismet Hoxha, mjekun Zyhdi Çoba dhe gazetarin sportiv Namik Mehmeti.
Ka qenë ky i fundit që na e ka vënë në dispozicion këtë foto dhe ne po e sjellin sot pikërisht me rastin e 50 vjetorit të lindjes së ish- presidentit të Vllaznisë Agron Çela. Me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” bashkohet me urimin për ditëlindjen e tij.
© shkodrasport.com