Nga Xhevdet Zekaj / Vangjel Sako

Drejtësia shqiptare ka mbetur si “gjysmagjel” nga vetingu. Mijëra dosje janë pluhurosur nëpër gjykatat e vendit, nga shkalla e parë deri tek e Larta. Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar, sistem “kçk” ose e urdhëruar nga politika. Ky trajtim vlen për qytetarët e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm, sepse gjykatat punojnë edhe “natën” po t’iu kërkohet nga pushteti ekzekutiv.

Në një situatë të tillë, paanësia kuptohet vetë. Nuk e besoni? Shihni “breshëritë” e vendimeve të gjykatave ndaj FSHF-së, zgjedhjeve të saj të 2 marsit.

Të gjithë në rresht para urdhërit nga lart, para betimit: Duka duhet zhdukur, edhe ishulli i vetëm i pavarur duhet marrë nën kontroll. Pushtetarë dhe gjykatës e prokurorë janë bërë njësh, prodhojnë vendime pezullimesh e sekuestrimesh.

Na rroftë drejtësia e re! Ja pra që drejtësia, kur i do qejfi është tepër e shpejtë, vepron, merr udhëra dhe zbaton. Le të flenë ato dosjet në Gjykatën e Lartë, shqyrtimi i çështjes së Teatrit Kombëtar, i Inceratorëve, i 21 janarit, i korrupsionit galopant nga të gjitha krahët. Me urdhër politik, gjyqet ndaj FSHF-së bëhen për tri ditë.

Miratohen shoqata futbolli, hapen çështje penale ndaj zyrtarëve të FSHF-së, vendosen sekuestro dokumentash etj.

Kur merr urdhër nga ekzekutivi, drejtësia shqiptare është ekspres, bën gjithçka për të pushtuar FSHF.
Sa bukur! Nëse kjo është drejtësia, vërtet shpëtuan shqiptarët…

Në këtë zhurmë mediatike dhe propagandistike që nisi sapo u bë e ditur data e zgjedhjeve të re në futbollin tonë, ne u bëmë palë me futbollin. Nuk jemi penduar, sepse gjërat zgjidhen me rregullat, statutet e FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s. Këtë e dimë mirë.

Gjykatat civile nuk mund të ndërhyjnë në çështje të tilla sportive. Vetëm organet juridike të UEFA-s mund të vendosin në kësi çështjesh. Në fund është CAS i Lozanës që “vë vulën” përfundimtare. Atëherë, për çfarë vlen zelli i gjykatave shqiptare për ta shpallur FSHF të pezulluar, të sekuestruar?! Sepse ato janë vendosur në shërbim të politikës.

A ju kujtohen vendimet e SPAK për të sekuestruar serverat e kolegëve të LAPSI-it, kur publikuan skandalin e patronazhistëve?

Njësoj po sillen edhe gjykatat tona me FSHF. A do të tërhiqen me bishtin në shalë, sikurse bëri gjykata speciale pas vendimit të Strasburgut në rastin e LAPSI-it? Shembulli është i qartë, sipër kujtdo për FSHF qëndron UEFA dhe CAS-i i Lozanës.

Duke i ditur mirë këto gjëra, ne u pozicionuam në krah të futbollit për arsye normale, qytetare, edukate dhe kodi etike të futbollit, ku jap kontributin tim sado të vogël.

Prej 6 vitesh jap leksione në kurset e trajnerëve, që organizohen nga UEFA dhe FSHF. Mos u habisni, se nuk është ndonjë shumë kushedi se çfarë ajo që marr. E bëj me shumë dashuri këtë mision pedagogjik për trajnerët e rinj, dua të jem afër tyre, futbollit.

Nuk mund të shkel kodin e etikës ku punoj, ku marr kënaqësi si pedagog dhe provoj profesionalizmin me strukturat drejtuese të federatës.

Sidomos fjalët e trajnerëve, që kanë mësuar shumë për psikologjinë dhe komunikimim sportiv, falënderimet e tyre nuk kanë të krahasuar me asnjë çmim.

Unë nuk mund të jem besëprerë, mosmirënjohës, të tradhtoj bashkëpunimin profesional me FSHF dhe Dukën për të mirën e futbollit.

Besoj tek vizioni dhe arritjet e FSHF, që janë të jashtëzakonshme për nivelin social të vendit tonë, sidomos në katër vitet e fundit. Ne kemi ministër sporti në Europë (Duka, anëtar i KE së UFA-s), drejtues të projektit “hatt trick”. Nëse jemi jashtë Europe me çdo standard tjetër, sidomos atë politik, futbolli ka shkuar atje me kohë.

E kam kritikuar shumë dikur kreun e FSHF, aq sa rivali i tij aktual për president, Shakohoxha, “futej mik” për t’u përmbajtur. Donte të merrte meritat në të gjitha anët, sepse në fakt ishte përfituesi më i madh nga qëndrimi shumë afër Dukës. Ai “vriste e priste” në emër të Dukës, ndërsa kreu i FSHF, në të gjitha vitet e tij si president, kurrë nuk më bëri as kërcënimin më të vogël. Në fakt, ishte Shako ai që na kishte “dënuar me vdekje”, si shumë gazetarë të tjerë, duke na mbyllur çdo derë në Supersport dhe kudo ku kishte akses.

Gazetarëve që nuk i menaxhonte vetë (sidomos të RTSH) iu drejtohej: u bëtë ju morra!!! Një bullizëm që nëse do të bëhej president (ëndërr), do ta bënte dikator të futbollit shqiptar.

Sot jam palë me FSHF, sepse një nga kundërshtarët me suport politik në shoqatën e Tiranës, që nuk dua as t’ia përmend emrin, se bëhet pis shkrimi im, mu fry si gjel, se do ishte shpëtimtar i futbollit…
Në fillim të zgjedhjeve i thashë se do të jemi palë kundërshtare, i urova suksese në humbjen e radhës. Reagoi me ofendime si rrugaç, pa asnjë argument.

U bë i fortë se kishte mbështetje politike. Ky ishte shkaku kryesor që ma përforcoi qëndrimin tim në këtë fushatë, pro futbollit, me gjithë problemet e veta, por të pavarur nga politika.
E gjitha kjo betejë frontale me gjykata, media dhe armë të tjera të politikës më krijoi idenë se nuk luftohet me paligjshmëri për të vendosur drejtësi.

Në diktaturë përdoren të gjitha pushtetet në funksion të qëllimit të pamerituar e të gabuar. Edhe drejtësia u shfaq e nënshtruar. Të gjitha këto më bënë palë me futbollin, pavarësinë, të vërtetën.
Kam ruajtur kodin e gazetarisë dhe institucionit të futbollit. Kurrë nuk do të pendohem, edhe pse jam i sigurt se UEFA nuk do ta lejojë pushtimin.

Nëse duan izolimin edhe të futbollit nga Europa, atëherë ta shpallin filial të pushtetit edhe FSHF. Sic i janë sulur këto ditë rusët Kievit, ashtu e kanë mësyrë FSHF-në kamikazët e drejtësisë së re, gjyqtarë dhe gazetarë të pacipë dhe interesaxhinj. Megjithatë, as ia prekin dot qimen e flokut.

Shumpërdorimësh të tillë do të ketë gjithmonë, por ata më kujtojnë këtë breshkën me dy plumbat mbi vete, që po “çliron” Ukrainën. UEFA sheh, dëgjon dhe vigjëlon për gjithçka. Në fund “mandata” e saj do të jetë e qartë: Me futbollin e pavarur dhe në kompeticionet ndërkombëtare, ose me futbollin e gjykatave mjerane, të politikës së kudogjendur, por vetëm brenda kufijve shtetërorë.

Nëse doni ta ktheni kombëtaren kuqezi, që nderon krejt shqiptarët, në njëlloj cirku, si ato të kohës së merhumit për të argëtuar njerëzit fshat më fshat, atëherë mos u ndalni. Por ama dilni e thojeni hapur, para se UEFA t’ua ngarkojë si mëkat të papërballueshëm mbi supe!

Futbolli që duam është ai që drejtohet nga UEFA, kaq e thjeshtë është!