Partizani filloi një periudhë spastrimi në qershor. Të kuqtë nxorën disa lojtarë jashtë planeve, ndërsa kishin mbyllur kampionatin si vend i tretë përmes “Final Four”. Tashmë vërehet se thuajse të gjithë kanë gjetur ekip.
Nikola Vujnoviç është i fundit që ka firmosur, teksa bie në sy se po e vazhdon karrierën në kategorinë e dytë serbe. Skuadra e Jedinstvo UB ka fituar shërbimet e tij.
DETAJI- Futbollistët e larguar nga Partizani bien në sy për një detaj interesant. Asnjë prej tyre nuk ka preferuar të qëndrojë në Shqipëri.
Kështu pasi kanë marrë letrat nga Partizani janë transferuar jashtë. Domgjoni luan në Izrael, Padstrelau në Bjellorusi, Zeka në Spanjë, Taipi dhe Osmanllari në Kosovë, Eleke në Hungari dhe malazezi Vujnoviç në Serbi. Zuna, që ishte i huazuar, pasi u largua nga Partizani preferoi të vazhdonte me Vorën në Superiore.
SHALA- Vetëm Herolind Shala ka mbetur pa ekip. Partizani e rikthente te futbolli në prillin e këtij viti, ndërsa vendosi të ndërprejë bashkëpunimin në korrik. Mesfushori 33-vjeçar pati probleme nga dëmtimet, ndërsa aktualisht ka mbetur pa skuadër.