Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREIsh-trajneri akuzon: Skuadra ka humbur identitetin, drejt greminës me 455 milionë buxhet

Ish-trajneri akuzon: Skuadra ka humbur identitetin, drejt greminës me 455 milionë buxhet

Ish-trajneri i Lushnjës, Llazar Dushi, ka kritikuar ashpër situatën aktuale të skuadrës, e cila ndodhet në zonën “play-out” pavarësisht se operon me një buxhet prej 455 milionë lekësh të vjetër, pa llogaritur fondet shtesë. Sipas tij, është e paimagjinueshme që një klub me këtë nivel financimi të mos ketë pretendime dhe të rrezikojë rënien nga kategoria.

Duke analizuar humbjen e fundit ndaj Pogradecit, Dushi e cilëson paraqitjen e Lushnjës si të dobët, pa ritëm dhe pa një plan të qartë tekniko–taktik. Ai shprehet i habitur se si skuadra mund të duket kaq e paorganizuar pikërisht ditën kur Këshilli Bashkiak miratoi një shtesë fondi për klubin. Sipas tij, problemet nisin që te stërvitja, e cila zhvillohet në orare të papërshtatshme, larg standardeve profesionale, ndërsa mungojnë edhe figura të rëndësishme të stafit si trajneri i portierëve dhe përgatitësi atletik.

Dushi thekson se mungesa e rezultateve lidhet drejtpërdrejt me humbjen e identitetit të ekipit. Lushnja, që dikur njihej për futboll të bukur dhe aksione të kombinuara sulmuese, sot mbështetet te rastësia dhe nuk krijon presion në fushën e vet. Humbjet e njëpasnjëshme ndaj Apolonisë dhe Pogradecit, sipas tij, tregojnë se ekipi nuk po funksionon si grup, pavarësisht se ka pasur kohë të mjaftueshme për rikuperim gjatë ndërprerjes së kampionatit.

Për ish-trajnerin, situata aktuale kërkon ndërhyrje urgente të drejtuesve. Ai vlerëson se lojtarët janë të paguar më shumë se mesatarja e kategorisë, por niveli fizik i tyre bie ndjeshëm pas minutës së 60-të. Ndryshimet e shpeshta të trajnerëve kanë dëmtuar stabilitetin e skuadrës, ndërsa merkatoja e verës nuk ka qenë e suksesshme dhe nuk ka sjellë elementët e duhur. Sipas tij, përzgjedhja e lojtarëve duhet t’u besohet specialistëve të futbollit, në mënyrë që të ndërtohet një ekip që i përshtatet profilit të Lushnjës.

Megjithëse klubi ka një buxhet të konsiderueshëm, Dushi pohon se problemet e brendshme, menaxhimi i dobët i merkatos, organizimi i pasaktë i stërvitjes dhe shkurtimi i stafit ndihmës kanë ndikuar drejtëpërdrejt në rënien e nivelit. Ai shton se publiku lushnjar nuk e pranon këtë renditje dhe kërkon një skuadër konkurruese. Zgjidhja, sipas tij, është që gjatë merkatos së janarit të ndërtohet urgjentisht një ekip cilësor dhe të rikthehet menaxhimi profesional në klub.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments