Shpallja Kampion Bote e shkodranit Elis Guri, nuk do të kalonte pa u vënë re edhe në qytetin e tij të lindjes. Përveç interesimit të medias që bëri punën e vet në pasqyrimin e këtij suksesi, më i madhi në sportin shkodran në gjithë historinë e tij, së fundi ka lindur një interesim edhe tek njerëzit e sportit. Janë pikërisht këta të fundit që kanë ngritur problemin e nderimit dhe shpërblimit të tij në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Shkodrës.

Anëtarët e këtij Këshilli kanë qenë dakord me shpërblimin e këtij sportisti për shpalljen kampion bote pavarësisht se nën flamurin e Bullgarisë dhe njëkohësisht është lënë që javën tjetër ndoshta të zhvillohet një ceremoni për nder të tij. Në fakt shkodranët duken disi të vonuar në këtë drejtim pasi Elisi ka qenë fundjavën që shkoi në Shqipëri dhe në Shkodër dhe është kthyer sërish për në Bullgari, atje ku jeton aktualisht. E rëndësishme është që bashkëqytetarët e tij e kanë vlerësuar këtë sukses dhe prandaj do ta shpërblejnë. Nuk është bërë e ditur shuma që do t’i akordohet atij por ndërkohë e sigurtë është që javën tjetër mund të zhvillohet një pritje për nder të tij në zyrat e këtij institucioni. Shkodra është krenare për Elis Gurin dhe kjo është shumë e rëndësishme për të mos i harruar bijtë e saj.