Havier Klemente është një ndër ata që mendojnë se karantina dhe ruajtja e distancës sociale, është mënyra e gabuar për të përballuar pandeminë që ka pushtuar të gjithë botën.

Ish-trajneri i përfaqësueses së Spanjës, është shprehur hapur kundër ndalesës së pjesës më të madhe të aktiviteteve dhe sugjeron që izolimi të jetë vetëm për të sëmurët, pasi në këtë mënyrë jeta do të vazhdonte pak më normalisht.

“Vazhdoj të shoh televizionin në këto ditë dhe po bëhet situatë shqetësuese, nuk dihet nëse do të qëndrojmë një muaj apo një vit të mbyllur brenda, në varësi të atij që dëgjon. Meqë nuk jemi mjekë, është e vështirë të dish atë që duan të thonë, gjithsesi nuk të jep shpresë askush, e nuk po flas për politikanët.

Nga ajo që kemi dëgjuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga ajo e Ekonomisë, përfundimi që kam arritur me aq sa di unë, është që nëse duam që ekonomia të ecë mirë, duhet të punojmë. Por kush të shkojë të punojë? Ndoshta ata që janë të shëndetshëm. Do të doja të dija përse njerëzit e shëndetshëm janë në shtëpi, kështu do të kishte më pak probleme”, ishte komenti i tij në rrjetet sociale.

Klemente, trajner I Spanjës në vitet ’90 dhe drejtues i shumë klubeve të njohura në Spanjë e jo vetëm, kishte shkaktuar edhe më pare polemika me postimet e tij, ndërsa kishte theksuar se gjëja më e shëndetshme për të bërë në këtë periudhë ishte të flitej sa më pak për pandeminë. /vipsport/