Ish-videoanalisti i KF Vllaznia, Xhoen Tugu, është diplomuar para pak ditësh, duke marrë masterin për menaxhim të sporteve dhe duke qenë në këtë mënyrë shqiptari i parë që diplomohet nga Universiteti i Real Madrid. Fillimisht, djaloshi shtatlartë do të përfundonte studimet e larta në administrim- biznes ne nne nga Universitetet e Tiranës, duke spikatur edhe aty si një ndër studentët më të kompletuar.
Menjëherë pas përfundimit të Universitetit, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i besoi Tugut postin e video-analistit të kuqebluve, detyrë të cilën e kreu në mënyrë profesionale. Ndërkohë më pas, studimet pas-universitare në Universitetin e Real Madridit bënë që Xhoen Tugu të merrte masterin në menaxhimin e sporteve, duke u bërë i pari shqiptar i diplomuar në këtë universitet dhe duke qenë një sukses më vete për ish-videoanalistin e KF Vllaznia.
Pas diplomimit në Universitetin e Real Madrid, gazeta “Shkodra Sport” kontaktoi me Xhoenin për t’i marrë impresionet e tij të para pas këtij suksesi të arritur nga ai. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Tugu u shpreh ishte diçka e veçantë të diplomohej në kryeqendrën e futbollit, pikërisht në Madrid, ndërsa komentoi edhe rreth situatës aktuale te Vllaznia dhe asaj që pritet tek kuqeblutë. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Xhoen, besoj i lumtur për arritjen e fundit, si ishte kjo përvojë për ju?
Përshëndetje, uroj të jeni mirë. Së pari, faleminderit për intervistën. Më duhet të them se padyshim ishte diçka e veçantë, jo vetëm shkolla, por edhe jetesa në një qytet të ri për mua si Madridi, që është kryeqendër e futbollit. Kam pasur fatin të vizitoj disa klube këtu në Spanjë, ku kam mësuar sadopak nga mënyra e funksionimit të tyre. Në përgjithësi, i kënaqur, por tani po mendoj për hapat e rradhës.
-Besoj edhe më i lumtur dhe më i kënaqur jeni edhe për faktin se jeni shqiptari i parë që diplomoheni nga Universiteti i Realit të Madridit?
Shpresoj mos të jem as i fundit. Janë të shumë të rinjtë e talentuar që meritojnë të kenë mundësi të tilla dhe rrjedhimisht të punojnë në botën e bukur të futbollit dhe jo vetëm.
-Tashmë, cila mund të jetë e ardhmja juaj apo synimet që keni?
Synimet e mia janë të qarta. Unë dëshiroj të punoj në stafin teknik të një klubi si skaut ose analist. Në fakt, duke qenë se edhe masterin e përfundova në Spanjë, do të më pëlqente të qëndroja, por gjithsesi është diçka që i duhet lënë së ardhmes. Ndërkohë, unë po mundohem të zhvillohem profesionalisht nëpërmjet kurseve të ndryshme online.
-Besoj Vllazninë e keni ndjekur gjatë kësaj periudhe apo jo, si ishte sezoni që lamë pas në këndvështrimin tuaj?
Sigurisht që po, Vllaznia është dhe do të jetë gjithnjë pjesë e imja. Të jem i sinqertë, pritshmëritë kanë qenë më të mëdha dhe vetë drejtuesit me sa kam lexuar, e kanë pranuar këtë gjë. Fatmirësisht, objektivi minimal që ishin Kupat e Europës u arrit me sukses, por duke parë edhe rrjedhën e sezoneve të fundit dhe investimet e bëra, ky ishte sezoni ku të gjithë prisnin më shumë nga Vllaznia. Megjithatë, tani është çasti për të parë përpara.
-Po ndryshimet e fundit tek Vllaznia si i komentoni, qoftë ndryshimet në stafin teknik apo në pjesën e afrimeve dhe largimeve të futbollistëve?
I uroj fat të gjithëve në rradhë të parë. Është e qartë që drejtuesit kanë dashur të bëjnë një lloj revolucioni në ekip, por koha do të tregojë gjithçka. Kur ka kaq shumë ndryshime, shpesh herë është me rrezik. Megjithatë, duket se stafi e ka menduar mirë këtë gjë. Me sa po shoh, po synohet rruga e ndjekur në 2020-2021, ku emrat e afruar mund të mos ishin ndër më të spikaturit, por u krijua një grup shumë i mirë që për pak fitoi titullin kampion.
-Si e shikoni Vllazninë e sezonit të ri Tugu?
Mendoj se do Vllaznia do mundohet t’i japë prioritet elementit të ri. Nëse skuadra do të bëjë mirë në Kupat e Europës, mbase mund të ketë edhe rritje në vlerat e futbollistëve, që do të ishte diçka shumë e mirë. Për sa i përket objektivave në kampionat, duhet parë se si do të shkojë ecuria. Fatkeqësisht, në sezonin që lamë pas, Vllaznia u penalizua edhe nga dëmtimet, një nga arsyet kryesore për mendimin tim që nuk u krijua një lloj vazhdimësie. Besoj se do të synohet kualifikimi në Conference League dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.
-Xhoen, faleminderit për intervistën!
Faleminderit edhe ju për kohën!