Ish-lojtari i Juventusit dhe kombëtares franceze, Patrice Evra, e kritikoi Juventusin dhe e quajti atë “të butë”, si dhe bëri paralele midis ish-trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, Igor Tudor, dhe kohës kur David Moyes u shkarkua nga Manchester United.

Në fillim, ai falënderoi Igor Tudorin për punën e tij.

“Kur shkarkojnë një trajner, kjo do të thotë që nuk e ke bërë punën tënde në fushë. Më ka ndodhur vetëm një herë në të gjithë karrierën time, kur isha te Manchester United dhe ata e shkarkojnë David Moyes. Ndihesha keq dhe shpresoj që lojtarët që janë aktualisht te Juventus të ndihen njësoj, sepse ata ndërruan tre ose katër trajnerë brenda disa vitesh. Kur je te Juventus, duhet të marrësh përgjegjësi. Problemi është se nuk funksionon me brezin e ri, është një brez i butë”, ka thënë fillimisht Evra.

Francezi vëren se brezi i tij luajti nga pasioni, për fanellën dhe historinë.

“Ky brez përbëhet nga markat, reperë, fashionista, ata përfshihen në politikë. Ka shumë shpërqendrime. Kjo është arsyeja pse jam i ashpër me ta, sepse ne nuk i kishim ato shpërqendrime. Ne hanim, flinim, luanin futboll, kaq. Bota ka ndryshuar, jo vetëm futbolli. Juventusi ka ndryshuar plotësisht, ne kemi humbur vlerat e vërteta. Më kujtohet ndeshja ime e parë me Andrea Agnellin, isha i lumtur që shihja histori kudo, kishim Pavel Nedved, Platini, të tjerë”.

Ai kujtoi sezonin 2014/2015 kur Juve fitoi titullin.

“Liga më e mirë që kam fituar në të gjithë jetën time ishte me Max Allegrin në sezonin 2014/15, mendoj se ishim të 13-tët në ligë, humbëm ndaj Sassuolos, shumë lojtarë donin ta largonin Maxin, por pashë të njëjtën gjë te United kur ata u përpoqën të sugjeronin se Moyes ishte e vetmja arsye pse po humbnin. Largojeni trajnerin, nuk ka më justifikim tani. Nëse nuk doni të qëndroni te Juventusi, atëherë largohuni. Jeni shumë të butë”, përfundoi Evra.

Ju kujtojmë se pas nëntë xhirove, Juventusi është vetëm i teti në renditje me 12 pikë, dhe nuk ka fituar në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Ata do të kenë një shans për të triumfuar sot (e mërkurë) kur të presin Udinesen në fushën e tyre. /Telegrafi/