Murlani nuk ia ka dalë të fitojë ndeshjen e parë të kampionatit në shtëpinë e vet, atë ndaj Shënkollit, teksa është mundur me rezultatin 1-3 në Barbullush. Në fund, kanë qenë miqtë nga Lezha që kanë triumfuar, por duhet thënë në fakt se, Murlani ka pasur kontestimet e saj për arbitrat e ndeshjes për disa vendime të dhëna prej tyre.

Kështu, sipas drejtuesve murlanas, në momentin, kur rezultati ka qenë 1-0 për Murlanin, janë dhënë dy penallti të dyshimta për Shënkollin. Ndërkohë që, më pas ka pasur edhe pretendime për një penallti të padhënë për Murlanin.

Sai takon ndeshjes, Murlani e filloi mirë përballjen me Shënkollin, duke shënuar që në minutën e 12-të me Trianoskin. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, kanë qenë miqtë që kanë shënuar me penallti, me anë të Lleshit, duke barazuar shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, menjëherë në startin e saj, Shënkolli do të fitonte një tjetër penallti, që do të shndërrohej në gol nga Lleshi në minutën e 49-të të ndeshjes. Megjithatë, asgjë nuk do të mbaronte këtu.

Në vazhdim, është Murlani që luan disi më mirë, teksa edhe pse ndeshja prodhon shumë rivalitet, në fund është Shënkolli që shënon edhe golin e tretë po me Lleshin, duke kompletuar tripletën e tij në minutën e 82-të. Deri në fund të përballjes, është Shënkolli që e administron mirë avantazhin e krijuar, duke e fituar krejt ndeshjen me rezultatin 1-3.

Pas kësaj përballjeje, Murlani renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, pa arritur të marrë akoma asnjë pikë. /Maringlen ZHIVANI/
Murlani-Shënkolli 1-3