Herald Marku shkëlqeu sezonin e shkuar te Vllaznia dhe Partizani në verë nxitoi ta bënte të tijin, duke firmosur kontratë për dy vite me mesfushorin.
Gjithsesi, gjërat për 25-vjeçarin nuk shkuan siç priteshin. Nëse me Dajën në pjesën e parë të sezonit ishte titullar, ndryshe po ndodh me Mehmetin, i cili ka preferuar Matondon dhe Muratajn para shkodranit.Në këto kushte, Markut i lind e drejta për të qartësuar të ardhmen e tij te Partizani.
“Panorama Sport” mëson se në ditët në vijim pritet të zhvillohet një takim mes tij dhe drejtuesve, për të qartësuar rolin që lojtari do të ketë në skuadrën e sezonit të ardhshëm.
TRAJNERI FAKTOR KYÇ – Përgjigjja e drejtuesve do të jetë vendimtare, por gjithashtu do të varet shumë nga trajneri që do të jetë në krye të ekipit në sezonin e ardhshëm.
Nëse qëndron Mehmeti, Marku do të duhet t’i kërkojë klubit largimin.
Edhe pse ka edhe një vit kontratë, pritet që gjithçka të ndërpritet në bashkëpunim, pasi as klubi, për shkak financash, nuk ka ndërmend të mbajë lojtarin nëse nuk luan titullar.
Gjithsesi, plani për Markun mund të ndryshojë 180 gradë në rast se në krye të ekipit vjen Brdariç. Nëse Mehmeti largohet, shanset më të mëdha janë se e pason gjermano-kroati.
Nëse kjo ndodh, Marku me shumë mundësi do të qëndronte, pasi Brdariç e pëlqen shumë dhe së bashku kanë punuar shumë mirë te Vllaznia.
OFERTAT – Pavarësisht se në këtë sezon Marku nuk ka qenë në lartësinë e pritshme, dihen cilësitë e tij. Për të ka pasur oferta nga klube të Superiores, por edhe nga Kosova.
Gjithsesi, gjithçka mbetet në kuadrin e tratativave, sepse shkodrani fillimisht duhet të qartësojë situatën te Partizani.