I pyetur nëse ekziston mundësia që në Botërorin 2018 që zhvillohet në Rusi të shohim kombëtaren italiane, përmes ripeshkimit, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka dhënë një përgjigje që ka shuar çdo shpresë. “Nëse do të shohim sërish Italinë në Botëror, atëherë duhet të presim 4 vjet. Italia duhet ta meritojë kualifikimin në fushë, jo përmes ripeshkimit nga FIFA”, ka thënë numri 1 i futbollit botëror. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që “azzurrët” të shkojnë në Botëror nëse skualifikohet Spanja, për shkak të problemeve që ka Federata e Futbollit e këtij vendi.

“Unë e kuptoj që për italianët kjo është një tragjedi, por duhet të kthehet në një stimul për të ardhmen. Kombëtarja italiane duhet të mësojë nga humbjet, të përveshë mengët dhe të punojë më shumë. Unë jam i bindur se Italia do të tregojë sërish se sa vlen, siç ka bërë gjithnjë. Por futbollit italian duhet të shkojë që në themelet e tij për të kuptuar se ku qëndron problemi i dështimit”, u shpreh Gianni Infantino, që ndodhet në Romë për zgjedhjet në krye të futbollit italian, duke u përpjekur të japë ndihmesën e tij si president i FIFA-s.