Italia mbetet jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi, diçka që po përjetohet si një katastrofë e përsëritur nga mediat sportive italiane. Gazetarët analizojnë përgjegjësitë, fajet dhe mungesën e kulturës fituese, duke e cilësuar situatën si “apokalipsi i tretë, pa justifikime dhe si një zakon të hidhur të mediokritetit”.
Luigi Garlando (Gazzetta dello Sport): “Apokalipsi i tretë është i tmerrshëm, sepse pason dy të tjerët. Humbëm ndjesinë e tronditjes dhe katastrofës së papritur. Po bëhet normalitet. Për herë të tretë radhazi nuk do të marrim pjesë në një Botëror futbolli. Do të flitet për këtë më 2030, kur do të kenë kaluar 16 vite nga pjesëmarrja e fundit. Për herë të parë do të kemi të rinj që do të arrijnë moshën madhore pa parë Italinë në një Kupë Bote. U mbështetëm te penalltitë që na bënë kampionë bote 20 vite më parë dhe të Europës më 2021. Këtë herë nuk ndodhi, duhet të shohim Gattuson dhe lojtarët e tij duke qarë. Gabime në gjykim? Ne kemi bërë më shumë gabime. E vërteta është se Bosnja ishte më e fortë dhe jemi të lodhur nga mendimi si të përmirësohemi; teknika, drejtuesit… Apokalipsi i tretë është më i keqi”.
Ivan Zazzaroni (Corriere dello Sport): “Asnjë justifikim, të mos kthehesh kurrë ku ke qenë i lumtur. Është një kurth melankolie, gjithçka do të jetë ndryshe dhe asgjë nuk do të jetë si më parë. Në të vërtetë jemi ne që nuk jemi më të njëjtit. Tani bëni atë që duhet dhe shpejt. Hiqni të gjithë ata që thonin ‘do të japim jetën dhe shpirtin; në luftë shkoj vetëm me këta’. Fatkeqësisht nuk është vetëm një dështim, i treti radhazi. Është dështimi i qartë i një sistemi. Përgjegjësitë janë të qarta. Shkaktarët gjithashtu, lidhen me vendime, neglizhenca ose veprime të individëve me përgjegjësi personale dhe politike sportive. E kaluara nuk kthehet, por historia na shikon mirë. Ka pasur një kohë kur fitonim kundër Zicos, Socrates, Junior, Passarella, Maradona, Rummenigge, Stielike, tani vështirësohemi kundër një 40-vjeçari me shumë kilometra si Edin Dzeko”.
Guido Vaciago (Tuttosport): “Të gjithë të largohen tani. Rikthimi nuk është kurrë një zgjidhje, por mund të jetë ilaç. E treta si spektator Botërori nuk mund të mos ketë pasoja në çdo nivel. Nuk mund të shmangen fajet, përgjegjësitë dhe dënimet. Duke rikujtuar gabimet e Espositos dhe Cristantes nga pika e bardhë, duhet të ndjekim një zinxhir të gjatë gabimesh të vogla dhe të mëdha, katastrofash strategjike dhe imobilizim politik të synuar për ruajtjen e pushtetit”.
Maurizio Crosetti (La Repubblica): “Drama është se nuk mund të flitet më për dramë, tashmë është zakon mediokriteti. Jemi këta që jemi, pak më shumë se asgjë, prandaj e shohim veten jashtë Boterorit. E pamundur që italianët të vuajnë më shumë se herët e tjera, edhe pse sportivisht të dhemb të eliminohesh kështu. Të gjithë në shtëpi? Por ne jemi aty, aty jetojmë, nuk dalim më nga oborri i kampionatit tonë mediokër. Jemi jashtë Champions-it në mars, imagjinoni në Botëror. Një lëvizje futbolli e njerëzve të moshuar që shikojnë kantieret. Jemi shuar si fokat e vetmuara. Zemërimi nuk na rrjedh më në vena. Jemi të mësuar të na dëbojnë Suedia, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina që ka një sulmues 40-vjeçar. Çfarë të themi për federatën? Duhej të largoheshin pas Europianit të komedisë, por qëndruan dhe është një tjetër komedi. Jemi në shtëpi sepse shtëpi nuk kemi më. Jemi endacakë, të përjashtuar dhe të dobët”.
Paolo Condò (Corriere della Sera): “Ndeshja që na çon te dështimi i tretë i Botërorit radhazi është një kontejner i mbushur me situata të ndryshme, e vështirë për t’u interpretuar jashtë tensionit të një ‘play off’i, deri tek sekuenca e penalltive që shkatërron shpresën e fundit. Është natyrale që tani diskutimi të kthehet tek ajo që duhet bërë për të rilindur futbollin tonë, sepse ai i djeshmi ishte fundi i një rrugë negative, duhet të rifillojmë nga baza të reja. Pothuajse duke iu bindur një refleksi të shkruar në kohë, Italia në pesë minutat e fundit tentoi goditjen ekstreme duke avancuar fushën e veprimit, pak si në atë Itali-Australi të 2006, kur Totti dhe Grosso përgatitën penalltinë për të shmangur vazhdimin me 10 kundër 11. Por Totti nuk është më, Grosso aspak, edhe Gattuso nuk mjafton”./telesport/


