Izmir Smajlaj, kampioni i Evropës më 2017-ën në kërcim së gjati në salla të mbyllura me 8.08 metra, por njëkohësisht dhe nënkampion Ballkani sivjet me 7.70 metra, është tërhequr nga Evropiani i Gllazgout.
Pritej që shkodrani të konkurronte në kualifikuese në ora 11:00 me Tiranën, por për shkak të një dëmtimi, të paktën edhe sipas trajnerit të tij, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, nuk mund të merrte pjesë në garë.
Ja dhe mesazhi i Gjergj Rulit nga Gllazgou për dëmtimin e Smajlajt: “Izmirin e tërhoqa pa bërë garë në Gllazgou, sepse përpara gjashtë ditësh në stërvitje ka bërë një tërheqje. Është e pamundur. Megjithëse kofshën rrahëse e banduam tek mjekët italianë, ngacmimi është shumë i madh.
Nëse do të rrezikonim qind për qind do të bënte rrupturë. Përpara kemi gara të tjera dhe Kampionatin Botëror”. Tashmë për Shqipërinë në Evropianin e sallave të mbyllura është vetëm Luiza Gega, e cila konkurron në 3000 metra./Gjergj Vyshka Google News/