Koleksioni i trofeve të fituar gjatë karrierës si trajner është shumë i rëndësishëm për Jose Mourinho-n. Ai, në fakt, e përmend sa herë që kritikohet. Kështu, pas tre golave të pësuar nga Tottenham, portugezi i ka kujtuar të gjithëve se janë tre titujt e fituar nga ai në Premier League, më shumë se të gjithë trajnerët e tjerë të marrë bashkë në kampionatin anglez (tani ka ardhur Ranieri që ka barazuar llogarinë). Për të mos folur për gjestin e “triplete”-s që i drejtori tifozëve të Juventus pas ndeshjes së Champions League.

Por disa nuk janë aspak të interesuar për trofetë që ka fituar Mourinho dhe nuk bëjnë asgjë për ta fshehur këtë. Cristophe Dugarry, kampion bote në 1998-ën dhe i Europës në 2000-in, është një nga opionionistët më të dëgjuar të Francës. Këtë herë i ka ardhur radha Mou-së që të jetë objekti i zemërimit verbal të francezit, i cili nuk është kursyer aspak.

“Është një gjë e padurueshme”, ka thënë ai për “Le Sport 10”. “Ka shkatërruar United. I kam parë të luajnë të martën, është një katastrofë, e tmerrshme. Dhe të mendosh se të gjithë mbajmë mend kur United i Keane dhe Beckham luante një futboll të jashtëzakonshëm sulmues”.

Po, por siç i pëlqen Mourinho-s të kujtojë shpesh, diçka e ka fituar në karrierë, duke përfshirë edhe Europa League me “Djajtë e Kuq”. Dugarry-së, gjithsesi, nuk i intereson aspak kjo gjë. “Old Trafford ishte Teatri i Ëndrrave, tani është kthyer në Teatrin e Maktheve prej tij.

Një gjë absurde. Ajo që nuk kupton ai është se askush nuk e çan kokën për titujt që ka fituar, ne duam të emocionohemi nga futbolli i bukur. Por këtë ai nuk e bën dot”.Një mesazh i qartë nga ana e francezit. Por, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, kundërpërgjigja e portugezit nuk do të vonojë./telesport/