Pjesa e parë e vitit 2018 ishte për t’u vënë në kornizë për Kristal Abajzan. Gola pa fund, grumbullimi me kombëtaren dhe debutimi me fanellën kuqezi, pas të cilit erdhi edhe një transferim te një klub me emër në Europë si Anderleht. Por pjesa e dytë e vitit deri tani ka dhuruar pak gjëra në aspektin sportiv për lojtarin, i lënë jashtë planeve të klubit belg.

Megjithatë, pak nga pak Abazaj po mundohet ta mbyllë në mënyrën më të mirë dhe po tregon se mund të ketë të ardhme për të në këtë klub, edhe pse për të bindur drejtuesit që të besojnë të ai, e ka filluar gjithçka thuajse nga e para, duke luajtur me ekipin të rinjve. Meqë nuk gjen hapësira me ekipin e parë, Abazaj është duke u aktivizuar me të rinjtë e Anderleht dhe po bëhet nga java në javë protagonist në atë që cilësohet si kampionati i rezervave, pasi lejohet të aktivizohen edhe futbollistët nga ekipet e para.

Sot, Anderleht fitoi 4-0 përballë Muskron në fushën e këtij të fundit dhe Abazaj jo vetëm ishte titullar, por edhe shënoi golin e tretë për skuadrën e tij. Fubtollisti shqiptar realizoi në minutën e 57 të ndeshjes, për të treguar se nuk e ka humbur nuhatjen para portës, pavarësisht periudhës së gjatë jashtë fushave të lojës, një sinjal edhe për t’i mbushur mendjen klubit se mund të ketë besim te ai në të ardhmen.

Me emërimin e një drejtori sportiv të ri në klub, gjithçka duket e hapur sa i përket të ardhmes së Abazajt, pasi ai ka bërë të ditur se çdo lojtari do t’i jepet shansi i tij, edhe atyre të cilët deri tani nuk kanë pasur mundësinë të kontribuojnë për ekipin e parë, pikërisht si futbollisti shqiptar. /vipsport/