Liverpool është ende duke kërkuar ekuilibrin e duhur midis soliditetit mbrojtës dhe rrjedhshmërisë sulmuese, sipas trajnerit Jurgen Klopp. “Reds” ishin një forcë e fuqishme në sezonin e kaluar, duke shkuar deri në finalen e Ligës së Kampionëve, ku u “çarmatosën” 3-1 ndaj Real Madridit.

Liverpool përfundoi në vendin e katërt në Premier League, duke pësuar më shumë gola se secili prej rivalëve të drejtpërdrejtë, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.

Pas 13 ndeshjeve të Premier League, në sezonin 2018-2019, skuadra e Klopp ka pësuar vetëm pesë gola, njësoj me kampionët e Manchester City.

Por, ky soliditet i ri ka ardhur në kurriz të mprehtësisë në finalizim. Liverpool ka shënuar vetëm 26 gola në krahasim me 40 golat e të besuarve të Pep Guardiolës, që kryesojnë kampionatin.

Duke folur përpara derbit kundër Everton, Klopp është pyetur mbi këtë situatë: “Po, në lojëra të veçanta jemi treguar jo fort efektivë në fazën ofensive. Për të qenë i sinqertë, për mua është mjaft e çuditshme. Na nevojitet pak më tepër shkathtësi dhe kreativitet.

Pra, nuk jemi mjaftueshëm në fazën ofensive. Ende duhet të zhvillohemi, kjo është ajo që po bëjmë. Sidoqoftë, kjo është një gjë krejtësisht normale në futboll, nëse nuk zgjat. Natyrisht, mund të jemi më mirë. Nuk e di se sa gola kemi shënuar, por kemi patur shumë më tepër shanse”./telesport/