FSHF veproi me dorë të hekurt sot, duke përjashtuar me pesë vite nga aktivitete e futbollit skuadrat e Kategorisë së Dytë, Gramshin, Bulqizën dhe Internacional. Skuadrat dyshohen për trukim ndeshjesh, duke pësuar në javët e fundit të Kategorisë së Dytë nga 15 gola kundër kundërshtarëve pretendentë.

Veç tyre, FSHF përjashtoi edhe arbitrin Mehmet Koçi (Bulqiza – Veleçiku) me dy vite nga çdo aktivitet sportiv. Në vendimin e FSHF për durrsakun thuhet se ai ka qenë i përfshirë në mënyrë indirekte, duke mos raportuar tentativën.

Koçi gjithashtu ka marrë një gjobë me 100 mijë lekë të rinj. Në një kërkim të thjeshtë, gjyqtari i ri ka qenë pjesë e Partisë “Libra” disa vite më parë.

“Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis F.C Bulqiza dhe KSSH Veleçiku, në bazë të neneve 17, 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, Zyrtari i ndeshjes, Memet Koci, për dështim për të raportuar shkeljet e parashikuara në nenin 27 të Kodit të Etikës, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë si dhe me ndalimin e pjesëmarrjes në ndonjë aktivitet të lidhur me futbollin për një periudhë prej 2 (dy) vjetësh”, thuhet në vendim.