Granit Xhaka ka vendosur të largohet nga Arsenali pas shtatë viteve qëndrim në Londër.Mesfushori kosovar u përshëndet me tifozët në ndeshjen e fundit ndaj Wolves ku realizoi edhe dy gola dhe nuk pritet të luaj më për Arsenalin.

Megjithatë e ardhmja e tij nuk është sqaruar ende, pasi Arsenali ende nuk e ka kompletuar transferimin e një mesfushori.Topçinjtë janë në negociata me West Hamin për transferimin e Declan Rice dhe momentin që anglezi i bashkohet Arsenalit atëherë i jepet drita e gjelbër Xhakës që të largohet.

Fabrizio Romano ka njoftuar se Xhaka ka marrëveshje me Bayer Leverkusenin dhe do t’i bashkohet sapo të nënshkruajë Rice me Arsenalin.30-vjeçari kosovar pritet që të zyrtarizohet si futbollist i ri i klubit gjerman Bayer Leverkusen vetëm pas dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Zvicrës që i zhvillon më 16 dhe 19 qershor.

Xhaka te Leverkusen pritet të nënshkruajë kontratë katër vjeçare me ‘Aspirinat’, derisa në garë për të janë edhe skuadra të tjera si Roma, Bayern Munich, Borussia Dortmund, por duket se Leverkusen e ka mbyllur më herët marrëveshjen me Xhakën.

Në sezonin e fundit me fanellën e Arsenal, Xhaka zhvilloi 47 ndeshje zyrtare duke realizuar edhe nëntë gola dhe duke asistuar në shtatë të tjerë. /Telegrafi/