
Synohet rikthimi i shkodranëve. Është ky plani i drejtuesve të Vllaznisë për sezonin e ri, gjë që është bërë publik. Emrat tashmë janë lakuar. Madje sikundër përflitet në Shkodër, kanë nisur edhe tratativat me disa prej tyre. Vetë trajneri Artan Bushati e ka theksuar dhe ritheksuar se do të ndërtohet një skuadër që do të pretendojë titullin, ndërsa objektivi minimal do të jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Mirëpo deri tani me përjashtim të treshes Lika, Vucaj e Gocaj, klubi ka shfaqur interesim për një rikthim të mundshëm të Hasanit. Lojtarët e tjerë, të cilët janë përfolur, ndoshta nuk janë të një kalibri të lartë, por gjithsesi janë elementë që do t’u bënin realisht punë kuqebluve. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë jabanxhinj, përkundrazi. Nisur nga pozicionet e tre lojtarëve malazezë që janë afruar, pritet që blerjet e tjera të llogariten mirë që të evitohet mbingarkimi. Stafi teknik është i paqartë për të gjetur një lojtar që do të zëvendësonte vendin e lënë bosh nga Smajli, i cili ka ikur drejt Vlorës. Megjithatë disa pista ekzistojnë. Për sa i përket sulmit, një opsion është pikërisht shkodrani Jasmin Raboshta, i cili pritet të rikthehet në shtëpi. Me sa duket deri tani po flitet shumë për afrime cilësore të shkodranëve, por vlen të qartësohet se firmat po mungojnë me emrat e përmendur. Pavarësisht se po flitet për afrime të shkodranëve që luajnë në ekipe të tjera, drejtuesit nuk kanë nisur ende nga rinovimet e lojtarëve vendës, të cilët mbyllën sezonin. Kapiteni Amarildo Belisha, por edhe mesfushori Ndriçim Shtubina, nuk kanë marrë akoma asnjë sinjal nga klubi për të ardhmen. Ndonëse ata janë në pritje, telefonata nga drejtuesit ende nuk ka ardhur.
Admir Uruçi