Në kombëtaren franceze, por me rrënjë e lidhje të forta me Afrikën. Sot kundër Marokut do të jenë plot 15 të natyralizuarit të cilët kanë zgjedhur Francën në vend të shteteve të origjinës. Zgjedhje karriere, jete, apo mirënjohjeje, nuk gjykohet sido qe të jenë, por “Gjelat” janë vërtet një kombëtare kolonizuese.

Zhyl Kunde ka lindur në Francë, por babain nga Benin, ndërsa Guenduzi është franko-maroken. Upamekano lindi në Evrë të Francës në një familje nga Guinea Bisau, teksa Jusuf Fofana e ka familjen nga Bregu i Fildishtë. Edhe Tçuameni ka lindur në Francë, por familja e tij është nga Kameruni, si nëna e Uilliam Salibasë që babain e ka libanez. Edhe Mbape ka lidhje me Kamerunin për shkak të babait, ndërkohë që nëna e tij është algjeriane. Mali bashkon Ibrahima Konatenë dhe Osman Dembelenë që ka malian babain, ndërkohë që nënën e ka me origjinë senegaleze. Kongo bashkon Mandandan, Kolo Muanin, Disasin dhe Kamavingën (që ka lindur në Angolë nga familje kongoloze). “I huaji” i vetëm që vjen nga familje emigrantësh, por që nuk ka lidhje me Afrikën është Alfons Areola që origjinën e ka nga Filipinet.

KËTU MAROKU – Tufën e 13 marokenëve “universalë” e kryeson Sofian Bufal. I lindur në Francë e i rritur nga nënë marokene. Romen Sais ka gjithashtu një prind maroken që e ka shtyrë të zgjedhë vendin e origjinës në vend të atij të lindjes (Francën). Ualid Shedira ka lindur në Itali kur babai (Azizi) militonte te Bari. Deri te mosha frekuentonte “Axurrët”, por më pas thirrja e atdheut rezultoi më e fortë. Selim Amallah ka nënë italiane, por babai maroken e transferoi familjen në Belgjikë ku 26 vjet më parë lindi mesfushori.

Ilias Shair ka mamanë polake, por zgjodhi pa dyshime Marokun nga ku e ka origjinën i ati. Bilal El-Khanus e Anas Zaruri luajtën deri 19 vjeç me moshat e Belgjikës përpara se t’i jepnin përparësi Marokut ku kanë lindur baballarët e tyre. Madje El-Khanusit iu desh të përdorte origjinën e gjyshit për të përfituar pasaportën marokene, teksa për të qenë në Katar përfitoi nga dëmtimi i Haritit.

Hakim Zieh flirtoi gjatë me Holandën përpara se të zgjidhte Marokun. Van Basteni e cilësoi si “budalla” për këtë zgjedhje. Në tri vitet e fundit ka refuzuar çdo ftesë nga “Luanët e Atlantit” dhe u desh Regragui për t’i prishur mendjen. Nuser Mazraui pati disa dyshime e më shumë se një takim me trajnerin holandez Koman përpara se të preferonte Marokun. Sofjan Amrabati luajti deri 15- vjeç me Holandën, por më pas i dha përparësi origjinës. Munir El Kazhui dhe Ashraf Hakimi kanë lindur në Spanjë, por nuk kanë pasur kurrë dyshime për kombëtaren, ashtu si edhe Jasin Bunu që edhe pse lindur e rritur në Kanada ka preferuar flamurin e kuq me yllin e gjelbër të nënës së tij.