Jasir Asani është padyshim lojtari i këtij viti te Shqipëria. Me golat e tij të mrekullueshëm, kuqezinjtë arritën që të na dërgonin në Europianin e Gjermanisë dhe arritën vendin e parë në grupin kualifikues.

Nëpërmjet një postimi, Jasir Asani ka shkruar disa fjale zemre për Shqipërinë, ku mes të tjerash mund të veçojmë fjalët se ka qarë si fëmijë kur mori ftesën e Shqipërisë. Ja çfare shkruan ai:

“Ky vit ka qenë i mrekullueshëm në plot kuptimin e fjalës! Kam realizuar ëndrrën time, por dhe të familjes time, me përkushtim e mbi të gjitha me shumë besim se do e arrij qëllimin. Kam sakrifikuar shumë vetëm e vetëm që një ditë të përfaqësoja kombin tim, të jepja kontributin tim për Shqipërinë që e dua kaq shumë.

E kam pritur shumë gjatë atë moment, që e kam të ngulitur thellë në mendje e më ka drithëruar çdo qelizë të trupit, që unë do të jem pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Kam qarë si një fëmijë, nuk flija dot nga gëzimi dhe nuk dija si ta shprehja atë moment që më bëri të ndihem sikur jam në “qiellin e shtatë”.

Jam munduar të jap gjithçka kam, për të përligjur besimin e kombit tim, për të bërë krenar çdo shqiptar. Kur e vesh fanellën kuqezi kupton se stema që mban në gjoks vlen shumë herë më shumë se emri e numri që është pas.

Jam munduar të jap maksiumim dhe ti shërbej kombit, në çdo çast që më është kërkuar dhe me përultësi u falënderoj për mbështetjen tuaj. Ju, tifozët kuq e zi, jeni shpirti i Kombëtares.

Ju premtoj se do jap maksimumin në çdo çast që do jetë nevoja për kontributin tim, vetëm e vetëm për ta ngritur lart flamurin kuqezi.

Ju uroj gëzuar Vitin e Ri, qofshi të lumtur në familjet tuaja dhe u plotësoftë çdo dëshirë që keni. Na pret një tjetër vit, ku të gjithë së bashku do bëjmë të pamundurën për të realizuar një tjetër ëndërr të madhe të përbashkët.
Shihemi në Gjermani!
I juaji, Jasir Asani