Sot, Kategoria Superiore ngre siparin e javës së 15-të me dy ndeshje të luftuara. Në orën 13:45, në stadiumin e qytetit të Laçit do të zhvillohet takimi Laçi-Kastrioti.
Të dyja skuadrat vijnë nga një moment shumë i ndryshëm, ku kurbinasit e Mirel Josës synojnë fitoren e pestë radhazi për t’i bërë presion dhe skuadrave të zonës europiane të cilat janë vetëm tre pikë larg, ndërsa ekipi krutan vjen pas një moment negativ.
Moment ku përveçse rezultateve, momentit dhe renditjes në fundin e tabelës së klasifikimit do të vuajnë dhe mungesën prej 12 ndeshjesh të trajnerit Ramadan Ndreu që u dënua nga Komisioni i Disiplinës pas gjestit jo të hijshëm kundrejt mbrojtësit të Skënderbeut, Vitijas.
Në orën 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luhet ndeshja Dinamo-Skënderbeu. Për kryeqytetasit ky takim është jetik sepse janë prej kohësh duke përjetuar këto rezultate negative, ndërsa ekipi korçar i Migen Memellit synon vazhdimësinë pas fitores që morën ndaj Kastriotit në fundjavë.