Kampionati i 83-të i Kategorisë Superiore po hyn në fazën e sprintit final. Java e 30-të mund të rezultojë vendimtare për pozicionimin e dy skuadrave të fundit, për të nëntën dhe të dhjetën, që në fund të kampionatit zbresin direkt në Kategorinë e Parë. Për momentin këto dy vende i mbajnë Skënderbeu dhe Dinamo, që janë të distancuara nga Egnatia e vendit të tetë që aktualisht është në raundin “play off”.
Thuhet përcaktuese, pasi katër ekipet e fundit ndeshen mes tyre. Skënderbeu pret Egnatian në shtëpi dhe vetëm fitorja i mban gjallë shpresat e korçarëve për mbijetesën. Çdo rezultat tjetër do ta detyronte Skënderbeun t’i bënte gati valixhet për në Kategorinë e Parë.
Në rast fitoreje, korçarët do ta shkurtonin në 7 pikë diferencën me Egnatian e vendit të tetë. Po kaq vendimtare kjo javë është edhe për mbijetesën e Dinamos, e cila të dielën pret Teutën. Ky mund të jetë treni i fundit i bluve për të shpresuar te mbijetesa.
Po aq përcaktues ky takim është edhe për durrsakët, prej të cilëve fitorja kërkohet për të evituar vendin e tetë, që të çon në ndeshje “play off”, ku mbijetesa sigurohet në betejën me kundërshtarin aspirues nga Kategoria e Parë. Këto dy ndeshje, bashkë me TiranaKastrioti, do të luhen të dielën, në orën 16:45, sfida të cilat lidhen direkt me fatet e mbijetesës.
LUFTA PËR EUROPË – Betejës për qëndrimin në Superiore, tri takimet e së cilës do të luhen të dielën, të shtunën i paraprijnë dy ndeshjet për sigurimin e tri biletave për në Ligën e Konferencës. Një mes Vllaznisë dhe Partizanit pritet që të mbetet pa Europë në fund të sezonit, sipas renditjes aktuale, por kur mbeten edhe 6 ndeshje për t’u luajtur nga kampionati, nuk kanë gjë të sigurt as Laçi dhe kryesisht Kukësi.
Vllaznia dhe Partizani ndeshen të shtunën në “Loro Boriçi” dhe humbësi i kësaj sfide mund të vërë pikëpyetje për biletën europiane. Kukësi përuron stadiumin e ri me Laçin, ku për shumë arsye fitorja është synimi kryesor. Humbja mund të linte pasoja të theksuara për verilindorët.