Që nga dita e djeshme në stërvitjen e Vllaznisë është edhe një futbollist i ardhur nga Portugalia. Por në fakt, nga sa zbulohet, lojtari në fjalë është me origjinë braziliane ndërkohë që zotëron edhe pasaportë portugeze.

Ai është Jefferson Cerqueira Santana i cili në tetor të këtij viti mbush 21 vjeç. Vërtetë deri më tani ka luajtur në kategoritë e ulëta në vendin e tij por synon që tashmë të bindë drejtuesit e Vllaznisë për të firmosur një kontratë me ta.

I gjatë 1.90 m, luan në qendër të mbrojtjes dhe të dhënat e para duken shumë të mira për të megjithatë pritet që edhe për disa ditë stafi teknik i kuqebluve ta vëzhgojë me kujdes para se të merret vendimi.

Vllaznia e ka të nevojshme gjetjen e një qendërmbrojtësi për arsye se njëri nga titullarët, pikërisht Denis Pjeshka i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe për këtë arsye do të mungojë për njëfarë periudhe.

A do të jetë Santana zëvendësuesi i tij, kjo mbetet për t’u parë.
© shkodrasport.com