Fitorja dhe kualifikimi i Vllaznisë ndaj Shiroki Brijeg i ka entuziasmuar të gjithë shkodranët. Përfshirë këtu edhe ish- futbollistët e saj dhe njëri ndër to që ka qenë i pranishëm në “Loro Boriçi” ishte edhe Fatbardh Jera. Në një intervistë dhënë për “veriusport.al”, ai shpreh emocionet e këtij takimi:

‘Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë, sidomos në pjesën e dytë do të thoja, sepse pjesa e parë, ndoshta edhe për obligimin e grupit edhe të kundërshtarit. Kundërshtari në pjesën e parë pothuajse luajti gjatë gjithë kohës në mbrojtje dhe e kishim të vështirë të penetrojmë dhe në pjesën e dytë ndoshta dhe goli i sekondave të para të pjesës së dytë i liroi lojtarët tanë, kështu që në minutat e mbetura pastaj e menaxhuan jashtëzakonisht mirë duke shënuar dhe dy gola të tjerë, të cilët na bënë krenarë të gjithëve, edhe ne si shkodranë”.

I pyetur se si e sheh vazhdimësiën e Vllaznisë në këtë kompeticion europian, ish- mesfushori i njohur i saj por edhe i kombëtares shqiptare të viteve ’80, shton:

“Mendoj që ky kualifikim ka për të shërbyer jashtëzakonisht shumë edhe nga ana psikologjike dhe gjithmonë duhet të mendojmë edhe për sa i përket anës ekonomike. Sidoqoftë, unë nuk mund të jap një opinion të saktë përsa i përket ndeshjeve të ardhshme në kupat e europës, por them që ka për të qënë një Vllazni jashtëzakonisht kompetitive në kampionatin e ardhshëm.

Unë mendoj që këtu ka probleme, ndoshta edhe nga shortet. Në qoftë se ne do të përballemi me një ekip të tillë si ishte ky i fundit, mendoj që do ta kalojmë klasën dhe njëherë”./SHKODRA-SPORT.COM/