Para tre vitesh erdhi në Shkodër për të drejtuar Vllazninë dhe për ta shpallur atë kampione, por në fund nuk ia doli duke iu gëzuar kësisoj vendit të dytë në kampionat.

Trajneri kroat Jeronimo Sarin ndërkohë mbrëmë është rikthyer sërish në Shkodër, por këtë herë si trajner i ekipit të Pejës dhe në ndeshjen e vlefshme për Ligën Ballkanike, ia ka dalë të mundë Vllazninë në shifrat 91-87.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, ai është ndalur tek periudha që ai ka drejtuar kuqeblutë dhe ka shfaqur emocione për ato muaj që ka kaluar me ta.

“Ishte një emocion i madh të kthehesha në këtë pallat sporti pasi kam kujtime mjaft të bukura por edhe shumë miq këtu. Vllaznia ka ndryshuar shumë që prej periudhës kur jam larguar unë.

Më vjen mirë që morëm një fitore në Shkodër, pasi ajo do ta ndihmojë ekipin e Pejës për duelin e rradhës që do të kemi në Ligën Ballkanike”-ka thënë trajneri kroat i Pejës.
© shkodrasport.com