Futbolli shqiptar është tronditur ditën e sotme, teksa Federata Shqiptare e Futbolli njoftoi me anë të një deklarate për shtyp se ndeshja mes Kastriotit dhe Bylis nuk do zhvillohet, pasi janë kërcënuar arbitrat e ndeshjes. Madje, jo vetëm kaq, por gjyqtarët tashmë refuzojnë të arbitrojnë takimet e krutanëve. Gjithashtu, në ndeshjen e javës së kaluar mes Kastriotit dhe Laçit, është anuluar një gol i kurbinasve për shkak të presioneve.

I ftuar në News 24 është Jetmir Halilaj, kryeredaktori i Panorama Sport, i cili dha këndvështrimin e tij.

“Sporti në vendin tonë nuk mund të shkëputet nga jeta e përditshme dhe nga ngjarjet që ndodhin tek ne. Këtu krimi ka marrë përmasa të mëdha dhe po na duken normale, kjo nuk mund të mohohet. Kjo është një nga ngjarjet më të rënda në botën e futbollit.

Së pari nuk është luajtur një ndeshje e kampionatit, nuk bëhet fjalë për një miqësore. Së dyti janë bërë kërcënime serioze saqë është anuluar ndeshja. Më pas na del që nuk është rasti i parë, pra është trukuar edhe ndeshja Kastrioti-Laçi pasi u anulua goli i këtyre të fundit. Ky lajm ka bërë xhiro në mediet ndërkombëtare.

Sa herë që themi futbolli mund të përmirësojë imazhin e një vendi, kemi të drejtë. Këtë herë është prishur imazhi. Sa herë bëhet fjalë për raste të tilla, do të thotë se jemi në një situatë alarmante. Kjo gjë është tejet shqetësuese sepse po veprohet me metoda mafioze. Nuk e di çfarë pritet më, vetëm po të grabisin arbitrin atje të shtëpia.

Federata nuk është pa përgjegjësi. Nëse Federata do kishte qenë më strikte dhe nëse do luftonte më shumë në këtë raste, mendoj se ky fenomen nuk do ishte zhdukur por do zvogëlohej. Pse duhet të marrim vesh diçka të tillë në ditën e ndeshjes. Nuk mund të shkojë situata deri në një pikë të pakthyeshme.

Kastrioti çfarë ka sot? Përse luan në Kamëz? Jam i bindur se Federata nuk i ka bërë detyrat e saj. Fenomeni i dhunës duhej luftuar. Ato pikë në fund mund t’i peshojnë Laçit. Tani i lind e drejta që të kërkojë fitoren në tavolinë” – tha ai.