Kampionët në fuqi të Rumanisë dhe aktualisht kryesuesit e kampionatit, CFR Kluzh, në ditët në vijim pritet të zyrtarizojnë firmën me Armando Vajushin. Mesfushori shqiptar duket se ka gjetur akordin me klubin në fjalë, me konfirmimin që vjen në mënyrë të çuditshme nga një tjetër klub, ai i Materës në Itali që e kishte kërkuar me ngulm lojtarin.

Vajushi ishte pa skuadër që nga largimi prej Pro Verçelit dhe Matera kishte kohë që kontaktonte me lojtarin. Por presidenti i klubit që luan në Serinë C italiane ka zbuluar se bisedimet e fundit kishin qenë të kota.

“Iu afruam me vonesë, sepse gjeti skuadër dhe do firmosë në Rumani”, tregoi ai bisedimet që kishte bërë me Vajushin dhe përfaqësuesit e tij ku ishte informuar për të ardhmen e lojtarit.

Në radhët e klubit rumun, mesfushori shkodran do të ketë mundësinë të kthehet përsëri protagonist në fushën e lojës pas dy sezoneve ku ka qëndruar shpesh pushim për shkak dëmtimesh. Ndërkohë, partner në mesfushë do të ketë një emër shumë të njohur të futbollit botëror, brazilianin Xhulio Baptista.

Ish-futbollisti i Real Madrid, Arsenal e Roma ka firmosur pak muaj më parë me rumunët, për të vazhduar atje karrierën e tij në moshën 37 vjeçare. /vipsport/