Jetmir Kuçi është një figurë e njohur për sportin shqiptari cili ndër vite ka punuar fort për ëndrrën e tij, boksin. Që nga viti 2017 kur bëri dhe ndeshjen e tij të fundit si boksier, ai tashmë vazhdon karrierën e tij në boks si trajner.
Kuçi ka krijuar një emër të suksesshëm në rangun kombëtar ku është shpallur tetë herë kampion i Shqipërisë, si dhe në rang ndërkombëtar ku ka rrëmbyer medalje të shumta. Jetmir Kuçi ka përcjellur gjithmonë emocione të paharrueshme tek sportdashësit.
Në lidhje me jetën dhe karrierën e tij, trajneri ka folur më shumë në intervistën e realizuar për gazetën “Shkodra Sport”.
-Si lindi dëshira të merreshit me boks dhe në çfarë moshe e filluat këtë sport?
Isha i vogël kur rastësisht pashë në rrugë dyboksierë që po ndesheshin me njëri-tjetrin dhe që aty më lindi dëshira që të merrem me boks. E më vonë fillova të stervitesha dhe trajneri im Shpresim Bregu duke parë shkathtësine time më tha që duhet ta vazhdosh se ke premisa në këtë sport. Boksin e kam filluar në moshën 14- vjeçare.
– Kur ka qenë ndeshja juaj e parë si boksier? Po ndeshja e parë si trajner?
Ndeshja e parë e boksit ka qenë në vitin 1992. Ndërsa ndeshja ime e parë si trajner boksi ka qenë në vitin 2012 me sportistin tim Senad Drini.
– Kush ka qenë mbështetja juaj që kur e filluat këtë sport?
Më kanë mbështetur shumë trajnerët e boksit dhe familja ime.
-Keni zhvilluar ndeshje boksi në vende të ndryshme, cili ka qenë vendi që premton më shumë në këtë sport?
Mendoj se vendi me më të talentuarit në boks është Rusia.
-Cila ndeshje ju ka ngelur në mendje dhe pse?
Është ndeshja në Milano në vitin 2009 pasi në raundin e dytë dëmtova doren por pavarësisht kësaj unë e vazhdova ndeshjen ku dhe arrita të fitoja.
– Cilat janë momentet më të vështira brenda korrnizave të boksit për një trajner (për ju)?
Momentet më të vështira le të themi janë ato momente kur sportistët dhe trajnerët kanë ndonjë keqkuptim apo mosmarrëveshje mes njëri-tjetrit.
– Mund të përmendni disa nga arritjet tuaja?
Ndër gjithë arritjet e mia do veçoja tetë vitet si kampion shqiptar; fitorja e kupës “Adem Jashari” dhe sigurisht ndeshja në kampionatin botëror, Itali 2009.
– Cila është ecuria e boksierëve të sotëm, a ka elementë që premtojnë?
Ecuria e sportistëve te sotem premton. Ka shumë boksierë te cilët po punojne fort per te arritur sa me shume ne kete sport.
– Kur e ktheni kokën pas, si e shihni gjithë rrugëtimin tuaj?
Gjithë rrugëtimin tim e shoh me shumë nostalgji. Kujtoj sakrificat e mëdha që më është dashur të bëj për të arritur këtu ku jam sot.
– Cila është nofka me të cilën ju thërrasin të tjerët sot?
Përherë më kanë thirrur “Baca”.
– Këshilla juaj për të rinjtë që kanë pasion boksin?
Ju them të gjithë të rinjve ta ushtrojnë fort këtë sport. Boksi, ndryshe nga ç’duket, ka disiplinë dhe art brenda pa përjashtuar dhe fushat e tjera të sportit që kanë pasion të rinjtë e sotëm.
Intervistoi: Dajana GEGAJ