FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREJo vazhdimësi me rezultatet, Vllaznia duhet të korigjojë

Jo vazhdimësi me rezultatet, Vllaznia duhet të korigjojë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia vijon të vuajë mungesën e vazhdimësisë së rezultateve pozitive në këtë sezon të Superiores. Në një moment kur shkodranët shpresonin se fitorja 1-0 ndaj Dinamos në javën e gjashtë do të shërbente si pikë kthese për skuadrën, erdhi menjëherë një tjetër zhgënjim. Humbja 3-1 ndaj Egnatias në javën e shtatë riktheu kuqeblutë te rezultatet negative, duke treguar se skuadra ende nuk ka gjetur stabilitetin e nevojshëm për të ndërtuar një ecuri pozitive.

Në fakt, kjo është një nga problematikat që ka shoqëruar Vllazninë që prej startit të kampionatit. Përjashtim bëjnë vetëm dy javët e para, kur ekipi shkodran regjistroi dy barazime radhazi në përballjet me Skënderbeun dhe Elbasanin. Që nga ajo periudhë, kuqeblutë nuk kanë arritur të regjistrojnë dy rezultate pozitive radhazi, duke e bërë të vështirë krijimin e një ecurie që do t’i ndihmonte të fitonin besim dhe të ngjiteshin në renditje.

Fitorja ndaj Dinamos krijoi përshtypjen se skuadra mund të kishte nisur një rrugë të re, veçanërisht pas vështirësive të javëve të para dhe presionit që kishte shoqëruar ekipin. Suksesi 1-0 në shtëpi ishte i rëndësishëm jo vetëm për pikët e marra, por edhe për mënyrën se si u përjetua nga tifozët shkodranë, të cilët nisën të shfaqnin sërish më shumë optimizëm. Megjithatë, disfata ndaj Flamurtarit tregoi se ai rezultat nuk ishte ende shenjë e një ndryshimi të qëndrueshëm në ecurinë e kuqebluve.

Me vetëm një fitore të regjistruar në shtatë javët e para të kampionatit, Vllaznia ka nevojë urgjente të gjejë një ekuilibër mes paraqitjeve dhe rezultateve. Nuk mjafton që skuadra të reagojë në një ndeshje të caktuar, nëse një javë më pas rikthehet te gabimet dhe humbjet. Pikërisht kjo luhatje po e pengon ekipin të marrë pikë me rregullsi dhe të krijojë një bazë më të fortë për vazhdimësinë e sezonit.

Për trajnerin Lazslo, një nga objektivat kryesorë në këtë periudhë duhet të jetë pikërisht korrigjimi i kësaj problematike. Stafi teknik duhet të punojë për të rritur qëndrueshmërinë e skuadrës, për të shmangur luhatjet nga një javë në tjetrën dhe për të ndihmuar futbollistët të ruajnë përqendrimin gjatë gjithë ndeshjes. Përtej aspektit taktik, rëndësi të veçantë merr edhe ana psikologjike, pasi ekipi duhet të mësojë të menaxhojë më mirë momentet e vështira dhe të mos humbasë besimin pas çdo rezultati negativ.

Kampionati është ende në fazat e para, ndaj Vllaznia ka kohë për të reaguar dhe për të ndryshuar situatën. Por për ta bërë këtë, kuqeblutë duhet të kthejnë fitoren ndaj Dinamos nga një episod i veçuar në pikënisjen e një ecurie më të qëndrueshme. Sfida e trajnerit hungarez është ta vendosë skuadrën në shinat e duhura, në mënyrë që rezultatet pozitive të mos mbeten raste të izoluara, por të kthehen në një tendencë që do t’i japë Vllaznisë mundësinë të rikuperojë pikët e humbura dhe të rikthehet në objektivat e saj.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments