Suksesi 1-0 i Vllaznisë ndaj Tiranës në duelin e sotëm në “Loro Boriçi”, ndaloi arratinë e bardhebluve drejt titullit të dytë radhazi. Shkodranët tashmë me të drejtë cilësohen plotësisht në garë për trofeun falë tre pikëve që siguruan, por edhe një avantazhi të rëndësishëm që kanë tashmë në krahssim me bardheblutë.
Ndeshja e tretë e luajtur mes këtyre dy skuadrave në kampionat, garantoi që në rast pikësh të njëjta në përfundim të këtij sezoni, të jetë Vllaznia ajo që do të ketë epërsinë ndaj kryeqytetasve. Shkodranët kanë fituar 2-1 sfidën e fazës së parë të Superiores mes këtyre dy ekipeve ndërsa më pas kanë barazuar 0-0 të dytën.
Me suksesin e sotëm, ata kanë sigurinë e plotë që sido që të shkojë sfida e katërt mes dy ekipeve, në rast pikësh të barabarta në mbyllje të kampionatit, do të jenë pikërisht kuqeblutë ata që do të renditen sipër bardhebluve në klasifikim.
Përballjet direkte kanë qenë shpesh vendimtare në vitet e fundit, duke kujtuar sidomos edicionin 2020-2021, ku Teuta u shpall kampione edhe pse me pikë të barabarta me Vllazninë, të cilën e dënoi vetëm golavarazhi përballë durrsakëve pasi bilanci në ndeshjet direkte mes dy skuadrave ishte identik.