Saturday, January 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREJo vetëm Cikalleshin, Flamurtari tenton edhe një tjetër ish- lojtar të kombëtares

Jo vetëm Cikalleshin, Flamurtari tenton edhe një tjetër ish- lojtar të kombëtares

Sokol Cikalleshi ka “zbarkuar” në Vlorë dhe ka ndezur menjëherë spekulimet për një transferim të bujshëm te Flamurtari. Mediat bëjnë të ditur se ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar një takim maratonë, që ka zgjatur rreth tre orë, me presidentin Sinan Idrizi.

Takimi është mbajtur në stadiumin “Flamurtari”, në katin e dytë, aty ku ndodhet edhe zyra e kreut të klubit kuqezi. Burime pranë klubit bëjnë me dije se mes Cikalleshit dhe Idrizit është diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm që në merkaton e janarit. Presidenti i Flamurtarit i ka bërë të qartë sulmuesit se është i gatshëm t’i plotësojë çdo kusht financiar, vetëm për ta pasur pjesë të skuadrës në këtë moment delikat. 35-vjeçari nga Kavaja ka një karrierë të pasur me fanellën kuqezi, ku numëron 60 ndeshje dhe 13 gola të shënuar me Kombëtaren shqiptare.

Ai ishte pjesë e Shqipërisë edhe në Europianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e kuqezinjve në finalet e një turneu madhor. Cikalleshi debutoi me Kombëtaren më 31 maj 2014, në miqësoren Shqipëri–Rumani, ndërsa ndeshja e fundit e tij me kuqezinjtë ishte ajo Suedi– Shqipëri, më 25 mars 2024 në Stokholm. Sulmuesi ka luajtur së fundmi në Turqi me Adanaspor, nga janari i këtij viti, ndërsa aktualisht është lojtar i lirë. Duke qenë se një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka zhvilluar në Turqi, kjo ka bërë që Idrizi ta ndjekë nga afër dhe ta shohë si një përforcim ideal për Flamurtarin. Më herët, Cikalleshi ka luajtur në Shqipëri te Besa, Skënderbeu, Tirana dhe Kukësi.

ARMANDO SADIKU, EMRI TJETËR I MADH Cikalleshi nuk është i vetmi “big” në radarët e Flamurtarit. Vlonjatët kanë hedhur sytë edhe nga Armando Sadiku, një tjetër ish-sulmues i Kombëtares shqiptare dhe një nga golashënuesit më të spikatur të viteve të fundit. 34- vjeçari ka një karrierë të pasur, duke luajtur me klube të njohura sidomos në Zvicër dhe Spanjë.

Aktualisht, Sadiku është pjesë e Belinzonës në Zvicër. Nga Shqipëria ai është larguar herët, kur ishte ende i ri, ndërsa aventurat e para i ka pasur me Turbinën, Gramozin dhe Elbasanin. Ende nuk dihet se në çfarë faze janë bisedimet mes Sadikut dhe Flamurtarit, por nuk përjashtohet mundësia që në janar të ketë zhvillime konkrete, madje edhe një udhëtim të sulmuesit drejt Vlorës për të finalizuar një marrëveshje të mundshme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments