Nga Endri ÇINARI
Në verën e këtij viti një lëvizje e bujshme në merkato ishte kalimi i Alen Sherrit nga Egnatia tek Kaljari. Gardiani pas sezoneve shumë pozitive me rrogozhinasit bëri hapin e madh për tu bashkuar me kuqeblutë që militojnë në Serie A. Por, Sherri nuk ishte portieri i vetëm shkodran që u transferua në futbollin apenin gjatë merkatos.
Një lëvizje të tillë bëri edhe Tomas Kiri, djaloshi i ri shkodran i cili tashmë është pjesë e futbollit italian. Ai prej më shumë se dy muajsh i është bashkuar ekipit të United Riccione, skuadër e Serie D në Itali. Menjëherë 19-vjeçari është shndërruar në një titullar të ekipit bardheblu. Dhe pavarësisht rezultateve jo pozitive të skuadrës së tij, gardiani është vlerësuar për paraqitjet personale.,
Portieri shkodran e ka shikuar këtë lëvizje si të duhurën për tu rritur në karrierë. Duke qenë se gjatë verës për të një mundësi ishte edhe transferimi në Emiratet e Bashkuara Arabe, por dëshira e Kirit ishte të vazhdonte karrierën në Itali. Një vend që në vite ka nxjerrë edhe disa prej figurave më të mëdha të katërkëndorit botëror.
Kiri gjithashtu ka qenë pjesë e vazhdueshme e kombëtareve të moshave të Shqipërisë. Ku është aktivizuar me kuqezinjtë që nga U-15, U-17, U-19 dhe U-20. Si futbollist ai i ka hedhur hapat e parë tek akademia Vllaznia, për të vijuar formimin e tij tek akademia e Shkëndijës së Tiranës. Si profesionist në futbollin tonë ai ka luajtur me Tiranën dhe me Kastriotin në sezonin e shkuar ku ishte i huazuar nga bardheblutë./www.shkodrasport.com/