Vllaznia i ka idetë e qarta për afrimet. Edhe pse zyrtarisht merkatoja nuk ka nisur, Mirsad Jonuz i ka “piketuar” dy lojtarë. Bëhet fjalë për Realdo Filin dhe Omar Turad Kamaran. I pari është pjesë e Luftëtarit, ndërsa i dyti shpalli “divorcin” e parakohshëm me Kukësin.
Fieraku i ka të gjitha karakteristikat e futbollistit që trajneri deklaroi se e kishte bindur dhe që në janar do t’i bashkohej. Vetëm emri i mbeti pa zbuluar, por edhe atë “Panorama Sport” e mësoi.
“Kemi nevojë për afrime. Do të kthehet Hygor, por na duhet një organizator dhe dy sulmues të mirë. Më pas mund të jemi një ekip shumë i mirë dhe i barabartë me rivalët. Pas javës me Partizanin do të flas me administratorin dhe drejtorin.
Do t’i sqarojmë këto situata. Kam folur me një lojtar, ka mbaruar. Është i ri dhe i mirë për sulmin dhe mesfushën. Është i duhuri për Vllazninë dhe nëse gjithçka shkon si duhet, do të vijë në janar.
Kemi mundësi të tjera për sulmin, edhe pse janari nuk ofron shumë. Por do të bëjmë çmos që t’i gjejmë dy sulmuesit”, kështu shprehej tekniku maqedonas për mediat, fill pas humbjes me Vllazninë.
Çështja është, a mund ta marrin kaq lehtë mesfushorin me tipare sulmuese prej Luftëtarit? Gjithsesi, janari do të vendosë gjithçka.
Kujtojmë se futbollisti i vitlindjes 1996 pati një “krisje” me klubin pak kohë më parë. Ai u detyrua që të stërvitej te moshat për disa ditë, deri në momentin që e kthyen te Luftëtari i madh.