Gilman Lika po kalon rini të dytë dhe zyrtarisht mund të themi se është kthyer në një lider të vërtetë te Vllaznia. Më shumë se 3 golat që ka shënuar, është forma e tij që bind. E megjithatë, vetë kapiteni shfaqet modest sa i përket vetes dhe ia faturon që të gjitha meritat e këtij suksesi trajnerit.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori zbulon sekretet e kësaj ecurie. “Troç” e thotë që titulli nuk është synim, por nuk e quan të pamundur një vend në zonën “Euro”. Foli edhe për ndeshjen me Partizanin, ku saktëson se nuk ka vend për “hakmarrje”.

Mundët Kukësin dhe tashmë Vllaznia është bashkëkryesuese pas 7 javësh, e kishit menduar një start të tillë?

Ishte një ndeshje e vështirë dhe këtë e dinim, por rastësi nuk mund të themi pasi ekipi që nga java e parë e deri më tani ka ardhur duke u përmirësuar. Me Kukësin e kishim bazuar taktikën tonë te kundërsulmi dhe rezultoi efikase. Ishte një trepikësh që na jep shumë moral për vazhdimësinë.

Nëse do ju pyesnin para se të luhej ndeshja, do e thoshit me siguri që do fitonit?

Po të isha pyetur para ndeshjes, do shprehesha i kënaqur edhe me barazimin, por duhet theksuar fakti që trajneri kishte bindjen e plotë që do shënonim sërish në kundërsulm. Kjo skemë që aplikuam ishte krejt e ndryshme prej ndeshjeve të tjera. Po ta krahasosh me lojën ndaj Luftëtarit kur kishim 7 raste dhe nuk shënuam asnjë gol, këtë herë ndërtuam më pak, por e dërguam dy herë topin në rrjetë.

Duket se Jonuz ju ka transformuar, cila është merita e trajnerit në këto rezultate?

Trajneri ka një meritë shumë të madhe, sepse ka ditur ta mbajë grupin në tonus dhe mbi të gjitha të bashkuar. Në kohët e sotme trajneri më tepër duhet të jetë psikolog, sesa të bëjë stërvitje. E këtë tekniku ynë po e bën më së miri. Është e rëndësishme t’i marrësh maksimumin çdo lojtari, ky me sa duket është edhe çelësi i suksesit. Dhe merita kryesore i takon teknikut Jonuz.

Është ky kulmi i Vllaznisë, apo mund të presim edhe më shumë?

E kemi deklaruar edhe më parë që ekipi ka pasur pak mungesë fizike prej fazës përgatitore, por me kalimin e ndeshjeve çdo gjë ka ardhur duke u përmirësuar. Kemi ende punë për të bërë. Nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të madhe, sepse ekipet janë afër me pikë. Por sikundër e thashë më lart, kjo fitore vlen për vazhdimësinë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi apo për eufori. Futbolli nuk të lë të kënaqesh.

Po zona “Euro”…?

Nëse do të ecim mirë, e pamundur nuk do të ishte. Siç e thashë, nuk duhet që të “fluturojmë”, por të vazhdojmë të punojmë fort në mënyrë që këto rezultate të mos shkojnë dëm.