Fjoart Jonuzi është një nga “xhevahirët” e Vllaznisë. Mesfushori erdhi në verën e para dy sezoneve nga Gjilani si futbollist i lirë dhe që në sezonin e parë, arriti ta justifikojë tërësisht besimin, madje në këtë sezon, bëri shumë paraqitje pozitive me Vllazninë.

Në dy sezone, dy gola dhe katër asist, si edhe paraqitje të vazhdueshme në nivel të lartë, e bëjnë kuksianin një shënjestër të klubeve të ndryshme europiane. 25-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Vllazninë tashmë, teksa ai mund të largohet që në këtë verë.

Ndoshta, e ardhmja e Jonuzit pritet të jetë jashtë Shqipërisë. Skautë të ndryshëm kanë ardhur gjatë sezonit për të ndjekur ndeshjet e tij dhe nga ajo që “Shkodra Sport” ka arritur të mësojë, ata e kanë pëlqyer profilin e Jonuzit dhe janë gati të lëvizin për të siguruar shërbimet e tij.

Emri i klubit nuk bëhet i ditur, por mbetet për t’u parë se sa do ta kënaqë kontrata e ofruar kuksianin. Për momentin duket se për këtë futbollist janë të interesuar ekipe nga Liga e parë turke, por edhe nga Izraeli e Qipro.

Vlera e Jonuzit, sipas “Transfermarkt”, është 325 mijë euro, teksa mbetet për t’u parë e ardhmja e tij në vazhdim, e cila duket gjithnjë e më larg Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI