Fjoart Jonuzi beson te vazhdimësia në kampionat, ndërsa u bën thirrje shokëve të skuadrës që të mos shikojnë situatën në të cilën po kalon Dinamoja. Mesfushori kuksian doli dje në krah të trajnerit Brdariç në konferencën për mediat, teksa komentoi ecurinë e deritanishme, si dhe sfidën kundër bluve.

“Në pesë ndeshjet e fundit kemi marrë katër fitore dhe një barazim. Kjo është një gjë e mirë dhe shikohet që grupi është formuar më mirë. Shpresoj që të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në këto dy ndeshje që janë për këtë vit dhe të marrim maksimumin në fund”, ka thënë fillimisht Jonuzi, i cili në fitoren e fundit ndaj Skënderbeut ishte lojtari më i mirë në fushë.

“Është një motiv shtesë, pasi kur del lojtari i ndeshjes, është diçka pozitive. Kjo është më e bukur kur fiton ekipi”, u shpreh titullari i Vllaznisë, që shpesh ka shënuar supergola dhe një të tillë në portën e Dinamos në fitoren 6- 3 të fazës së parë. “Nuk më ndodh që të shënoj shpesh dhe ai gol për mua ishte i rrallë.

Ndaj Dinamos do të kërkoj që të bëj maksimumin si zakonisht dhe më pas, po të shënoj sërish, do të ishte diçka e mrekullueshme”. Në fund mesfushori foli edhe për rivalin e sotëm dhe atë që pret të ndodhë në Elbasan. “Ne futemi për të marrë maksimumin. Ata do të kërkojnë kthesën kundër nesh, prandaj e shikoj si ndeshje të vështirë.

Ne duhet që të japim maksimumin në këtë takim dhe të fitojmë. Nuk mendoj se do të jetë ai bollëk golash si fazën e parë, por unë do të dëshiroja që të fitonim edhe me një gol të vetëm. Ne jemi në ndjekje të kryesuesve, por nuk duhet që të bëjmë llogaritë e askujt por vetëm tonat”, përfundoi titullari i kuqebluve.