Stefan Cicmil është një nga mbrojtësit më të mirë që ka luajtur në kampionatin shqiptar në vitet e fundit.

Malazezi i cili spikati në Superligë me ekipin e Vllaznisë tashmë është kthyer në vendlindje.

Në një intervistë për Newsport.al, ‘gjigandi’ flet për sezonin që po kalon në Mal të Zi, objektivat e ekipit aktual, por ka edhe një mesazh për Vllazninë dhe tifozët shkodranë ku nuk përjashton një rikthim të mundshëm në Shkodër.

– Stefan, tani ju luani në Mal të Zi. Si po shkon aventura jote me Mlladost ?

Jam shumë i lumtur që jam kthyer të luaj me Mlladost. Janë një klub që kanë një organizim perfekt dhe mund të them më të mirin në kampionatin malazez.

Gjithashtu këtu jam një lojtar titullar, gjë që është shumë e rëndësishme për një futbollist.

– Ekipi është shumë pranë zonës së Europa League në kampionat. Mendoni se do kualifikoheni në kupat e Europës sezonin që vjen ?

Ne kemi një ekip shumë serioz, por edhe lojtarë me cilësi të mrekullueshme individuale që mund të bëjnë diferencën.

Kemi ndërruar trajner dhe kjo na ka penalizuar dhe shqetësuar në garën për titull kampion.

Por jemi në zonën e Europës momentalisht në kampionat dhe jemi në gjysmëfinale të kupës. Besoj se do luajmë në Europë sezonin që vjen.

– Cila është diferenca mes futbollit në Mal të Zi dhe atij në Shqipëri ?

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi luhet një futboll serioz dhe cilësor. Diferenca është numri më i lartë i të huajve që lejohen në kampionatin shqiptar dhe kualiteti që sjellin lojtarët e huaj bëjnë diferencën mes tyre.

– I shikoni ndeshjet e Superligës shqiptare tani ?

Shoh aq ndeshje sa mundem nga Superliga. Veçanërisht ndeshjet kur luan Vllaznia.

– Po për Vllazninë ? Çfarë mendimi keni për atë ekip ?

Vllaznia është një ekip shumë i mirë i përbërë nga lojtarë me një eksperiencë të jashtëzakonshme si Sukaj, Malota dhe Gocaj.

Si edhe lojtarët e rinj që tani po luajnë në mënyrë të shkëlqyer si: Çinari, Krymi dhe Pjeshka. Ata kanë një trajner shumë të mirë dhe mendoj se do ngjiten akoma më tepër në tabelën e renditjes.

– Ju keni shumë fansa në Shkodër. Mendoni se mund të riktheheni te Vllaznia ose te ndonjë ekip tjetër në Superligë ?

Kam kaluar momente shumë të bukura në Shkodër dhe atje kam shumë fansa që shpesh më pyesin e më shkruajnë që unë të rikthehem te Vllaznia.

Isha pranë një rikthimi në janar, por gjërat nuk shkuan si duhet në atë moment. Do shohim në të ardhmen se çfarë mund të ndodhë.

Mendoj se Vllaznia duhet të jetë në majë sërish. Klubi, qyteti, fansat e mrekullueshëm e meritojnë atë.

– Cili është parashikimi juaj për Superligën këtë vit ?

Skënderbeu tashmë ka krijuar shkëputje dhe do jenë kampionë. Ata vazhdojnë të jenë më të mirët në Shqipëri. Por ekipe me shumë cilësi janë edhe Partizani dhe Kukësi që mendoj se do luajnë në kupat e Europës. /Endri Çinari/