Suksesi i ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë që arriti të shpallej për herë të parë në historinë e tij kampion i Shqipërisë, nuk mund të kalonte kurrsesi pa vëmendjen e kryebashkiakes Voltana Ademi. Ajo edhe më parë ka treguar se është shumë e ndjeshme ndaj sukseseve të ekipeve sportive të Shkodrës dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe këtë herë teksa nuk ka rezervuar një pritje zyrtare në zyrën e saj por ka shtruar një darkë për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë të saposhpallur kampion. Në këtë darkë përveç sportistëve dhe trajnerëve kanë marrë pjesë edhe disa veteranë të nderuar të këtij sporti si Ali Bushati, Viktor Jubani, Ardian Shiroka e Adrian Mikopli. Në atë se çfarë shkruan në faqen e saj kryebashkiakja Ademi,duket qartë se Vllaznia është pjesë e rëndësishme e këtij qyteti sepse ndër të tjera thotë: Shkodra është Vllazni! Jo më kot, në këtë darkë ajo kishte zgjedhur edhe një veshje me ngjyrat kuqeblu dhe në fakt nuk ka si të jetë sepse vetë rrjedh nga një familje sportive që i ka dhënë shumë sportit të këtij qyteti. Ja postimi i plotë i saj:
“Kampionët!
Pas atletikes radhën e kishte volejbolli.
Vazhdojmë t’i tregojmë të gjithë shqiptarisë se Shkodra jonë mbetet djepi dhe tradita e një kombi ne art, sport e kulturë.Ekipi i Volejbollit dhe trajneri Mark Krroqi arritën një sukses për të cilin trajnerët dhe sportistët prej vitesh kanë punuar me vullnet e sakrificë.
E gjithë Shkodra eshte Vllazni!
Faleminderit djemve te Shkodrës!

Nga sa merret vesh, në këtë darkë, kryebashkiakja u ka premtuar mbështetje maksimale edhe ë të ardhmen pjestarëve të këtij ekipi kampion në mënyrë që ky sukses i parë i arritur, të mos mbetet me kaq.

www.shkodrasport.com