Volejbollistet e reja të Vllaznisë pasi kanë kaluar në gjysmëfinale Tiranën, kanë bërë sot të njëjtën gjë duke fituar edhe në finalen e parë të kampionatit, atë ndaj Skënderbeut, finale kjo e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Rezultati i arritur në fund të kësaj finaleje të parë ka qenë 3-0 për vajzat kuqeblu që drejtohen nga trajneri Adrian Mikopli. Takimi është ndjekur nga 400-500 tifozë të cilët i kanë dhënë një atmosferë shumë entuziaste atij. Vllaznia e ka nisur mirë ndeshjen, ka fituar setin e parë 25-17, të dytin 25-16 dhe të tretin 25-13 duke fituar kësisoj krejt ndeshjen me një rezultat të pastër. Kjo fitore i jep epërsinë vajzave kuqeblu edhe për ndeshjen e dytë dhe të fundit, atë që do të luhet ditën e dielë në Korçë. Sipas rregullit të FSHV-së, kampion del ekipi me rezultatin më të mirë. Kështu, nëse Vllaznia fiton qoftë edhe një set të vetëm në takimin e dytë, edhe nëse humbet 1-3, do të thotë se ajo do të jetë kampione. Për të arritur këtë sukses, gjithsesi këtij ekipi i mjaftojnë të shënojë në total 47 pikë sepse Skënderbeu në takimin e sotëm ka shënuar vetëm 46 të tilla.Gjithsesi trajneri Mikopli është i bindur se Vllaznia do të shkojë edhe në Korçë për të fituar sepse e ka përbërjen për këtë gjë, sepse puna e bërë prej muajsh ka qenë e tillë prej së cilës tashmë pritet vetëm suksesi i të shpallurit për herë të dytë rresht kampion i vendit.

© shkodrasport.com