© shkodrasport.com
Federata Europiane e Volejbollit pasqyron suksesin e Vllaznisë
Suksesi i ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë që pak ditë më parë siguroi të parin titull në historinë e tij, nuk ka kaluar pa fituar vëmendjen edhe të Federatës Europiane të Volejbollit. Në faqen e saj zyrtare, ai i ka kushtuar një artikull të veçantë këtij suksesi me titull: “Sensacioni i Shqipërisë, feston titullin historik të kampionatit kombëtar”. Në vijim të shkrimit, ka shumë fjalë interesante për këtë ekip, duke thënë se në fillim u mendua se do të ishin jashtë play off-it por më pas bënë një seri ndeshjes të shkëlqyera për të dalë fitimtarë në fundin e Ligës kombëtare. “Studenti nuk kishte humbur asnjë ndeshje të vetme gjatë vitit 2017 para fillimit të ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit. Por Vllaznia fitoi dy nga tre ndeshjet finale larg nga shtëpia, vetëm një ishte luajtur në Shkodër, dhe festoi titullin e parë të tyre kombëtar në sallën sportive “Asllan Rusi” në Tiranë. Lojtarët e Vllaznisë treguan shumë vendosmëri dhe luftuan si gladiatorë, duke u marrë gjithashtu me momentet më të vështira në mënyrën më të mirë, duke e merituar plotësisht titullin në fund. Ata e ndanë këtë gëzim me shumë tiffozë që kishin udhëtuar në Tiranë nga Shkodra për të mbështetur heronjtë e tyre”- shkruhet më tej në faqen e CEV. Në këtë artikull ka vend edhe për fjalët e trajnerit Mark Kroqi i cili deklaron se “jam përtej hënës, sepse kemi arritur diçka vërtetë të jashtëzakonshme, diçka që ne kemi ëndërruar prej vitesh dhe dekadash dhe prandaj ky titull shkon për të gjithë brezat e mëparshëm që luftuan fort por nuk e arritën këtë sukses”. Një pasqyrim i tillë kuptohet që ka rëndësinë e vet sepse tashmë Vllaznia jo vetëm mund të jetë në këto rreshta të Federatës Europiane të Volejbollit por shumë shpejt ndoshta edhe si pjesmarrëse në kupat që ajo organizon.