Mirel Josa i gëzohet fitores ndaj Teutës, por trajneri i Vllaznisë ka deklaruar pas ndeshjes se kjo nuk zgjidhte problemet që kishte shfaqur skuadra në takimet e mëparshme.
“Periudha jonë jo e mirë ishte një periudhë pesëditore se brenda atyre ditëve u luajtën dy ndeshje që i humbëm. Nuk mund t’i vendosim kapak të gjitha gjërave që kemi kaluar me këtë fitore ndaj Teutës, një ndeshje që e zgjidhëm shpejt. Skuadra kishte dëshirë të luante, këtë e ka treguar jo vetëm me Teutën, por edhe me Egnatian. Jo se nuk kishte dëshirë por qëlluam 45 minuta loje në ditë të keqe. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, nuk është mbyllur ende asgjë, ende nuk ka mbaruar faza e dytë. Morëm oksigjen për të festuar festat e Vitit të Ri.
Sot punoi e gjithë skuadra për Kainën, ai ka luajtur për skuadrën në momentin që ai ishte në atë pozicion. Duhej të mbështetnim mirë atë, Hoxhaj duhej ta mbështeste më mirë, por këto rregullohen me vazhdimin e punës.
Alivoda është futbollist që na ka treguar se çfarë mund të bëjë në fushë. Ja ku e ka fushën dhe ti bëjë hyzmet qoftë klubit, qoftë individit Alivoda për të ardhmen. Sa i përket objektivave të Vllaznisë nuk mund të flas shumë se unë përherë jam me këmbë në tokë. Nuk do të thotë një fitore me Teutën që na i heq të gjitha problemet, ka disa probleme të cilat do të shqyrtohen dalëngadalë në këtë pauzë që është më e shkurtër se ajo e Kampionatit Botëror.
Nuk do të thotë që të lësh pikë dhe të jetë ndeshje e keqe. Ne kemi luajtur më keq se të gjitha ndeshjet ndaj Egnatias, ndërsa ndaj Kastriotit luajtëm futboll por ata shkuan vetëm tre herë në portë e na shënuan. Ne duhej ti dilnim para kësaj të keqeje dhe të parashikonim problemet si shkonin, skuadra është në rrugë të mbarë. Duhet të kenë parasysh që jo një fitore i shuan të gjitha problemet që mund të kesh në skuadër. Lojtarët janë të bindur dhe bëjnë atë që u kërkoj unë në fushë, kjo është diçka shumë pozitive për këtë skuadër.
Nuk kam asgjë me mbrojtësit, ishte edhe ndihmesa e mesfushorëve. Gurishta e ka treguar që mund të luajë qendrën e mbrojtjes shumë mirë. Juriçin në dy ditët e fundit vendosa ta fus në lojë se ka mungesa në seancat stërvitor, Smajli e ka treguar veten e vet. Të gjithë këta lojtarë tregojnë cilësinë e lojës, nuk aktivizohen se janë të rinj, por se e meritojnë.
Marku? Nuk ka probleme dëmtimi se po të kishte nuk do e mbaja në stol. Ai është i përkushtuar, gjatë gjithë kohës është pozicionuar ku kemi kërkuar, i ka dhënë skuadrës shumë dhe me mentalitetin që ka, do të vazhdojë t’i japi edhe më shumë. Është një lojtar që për mua, kam qenë ai që e kam kërkuar në skuadër, ka plotësuar kërkesat tona, punë tjetër që është përdorur në pozicione që nuk janë të tijat”, tha Josa në mbyllje të duelit duke folur për “Oversport”.