Mirel Josa ka folur pas fitores 2-1 në transfertë kundër Kukësit. Trajneri i Laçit foli menjëherë pas takimit teksa u shpreh për Supersport:
“Me Tiranën kam pasur skuadër shumë të mirë dhe kam qenë shumë i qetë. Ndaj kam festuar sot. Kundërshtari na imponoi lojën. Ata e zbresin topin mirë në gjysmëfushën tonë. Duhet të bënim pak presion te lojtari që merte topin. S’ishte faji i mbrojtjes që u tërhoq aq shumë pas. Ne s’donim të tërhiqeshim pas. I ka edhe këto ndodhi futbolli. Ndeshja mund të kishte përfunduar barazim.
Potenciali? Unë jam i gëzuar, jo vetëm për 3 pikëshin, por për mënyrën se si luftojmë në grup. Është shumë e rëndësishme për mua se si këta lojtarë kishin mbështetjen e njëri-tjetrit. Kjo është shumë e rëndësishme. Dalja jonë përpara duhej të ishte më efikase. Potencial ka skuadra, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk ka asnjë ndeshje të fortë.
Nervozizmi? Dihet kur një ndeshje është 2-0 dhe hapet në çerekorëshin e parë të pjesës së dytë, dihet ekzaltimi që merr kundërshtari. Ne duhej të fitonim qetësinë. Duhet të kishim bërë shumë më përpara që t’i thonim kundërshtarit se duhej t’kishte kujdes.
Guindo? Mesfusha ishte më e freskët në 20 minutat e para. Guindo në pjesën e parë ishte ashtu siç e dua unë. S’është problemi te ai, por Kukësi po shtynte shumë me dy mbrojtësit anësorë. Ne aty kur shkuam te topi, lojtarët duhet të dilnin më shpejt nga presioni për t’ia bërë më të lehtë punën.
Ndeshja ndaj Tiranës? E para punës se çfarë dëmtimesh kam, do t’i shoh nesër. Tirana kryeson me meritë. Ka kontigjent të mjaftueshëm për të përballuar kampionatin. Deri të martën kemi kohë të rikuperohemi. Edhe Tirana ka problemet e veta. Të nisim të punojmë që sot për ta. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tyre”, tha ai./newsport/