Prej tre ditësh ekipi i Vllaznisë ka nisur përgatitjet e tij në Austri dhe gjërat po shkojnë në mënyrën e duhur. Të vendosur në një kamping 30 kilometra larg Vjenës, kuqeblutë po shfrytëzojnë në maksimum temperaturat e ulëta që mbizotërojën atje, për të marrë ngarkesat e duhura fizike.
Me ekipin për momentin janë në stërvije 26 futbollistë, ndërkohë që prej së dielës atyre do t’u shtohet edhe Liridon Latifi. Ky i fundit ka patur disa probleme shëndetësore ditët e fundit ngaqë ka qenë pozitiv me covid, por gradualisht po e merr veten dhe shumë shpejt do të hyjë në ritmin e grupit, raporton shkodrasport.com.
Por nga ana tjetër, kur kanë mbetur edhe 20 ditë deri tek ndeshja e parë ndaj Universitatea të Krajovës, trajneri Mirel Josa duket se nuk po sheh më drejt merkatos, por është i fokusuar maksimalisht tek grupi i lojtarëve që ka në dispozicion. Nga kontigjenti i futbollistëve që ka çdo ditë në stërvitje, do të mundohet të ndërtojë edhe mënyrën e të luajturit apo dhe formacionin me të cilin do të kërkojë të ballafaqohet denjësisht ndaj këtij kundërshtari.
Kuptohet që pritshmëritë për Vllazninë nën drejtimin e tij janë të mëdha, por edhe trajneri do kohën e vet. Kjo ngaqë janë larguar disa lojtarë dhe në vend të tyre kanë ardhur të tjerë, të cilët duan pak punë për t’u ingranuar.
Vetëm sa i takon formacionit bazë, janë 4 apo 5 ndryshime që duhen bërë dhe për këtë arsye duhet shumë punë. Prandaj dhe vetë Josa ka folur pak gjatë kësaj periudhe për mediat por është përqendruar më shumë tek stërvitja sepse vetëm në këtë mënyrë mund të fusë idetë e tij tek ekipi./SHKODRA-SPORT.COM/