Mançester Junajtidi është tërësisht i bindur te vendimi për të zgjedhur Andre Onanën si portierin e ardhshëm të tyre, arsye për të cilën e kanë hapur thesin për të siguruar shërbimet e kamerunasit.
“Djajtë e kuq” priten të zgjidhin sot çështjen e transferimit të 27-vjeçarit në Angli, me ofertën për Interin që pritet të mbërrijë në 60 milionë euro përfshirë edhe bonuset. Jo vetëm kaq, por akordi për një rrogë prej 7 milionë eurosh në sezon për 5 vitet e ardhshme me vetë lojtarin e bën investimin total të anglezëve të shkojë në rreth 100 milionë euro, një shifër që tregon besimin e klubit tek ai që është aktualisht numri 24 i zikaltërve.
ZOMER E TRUBIN – Me largimin e Onanës, që duket çështje orësh në mungesë të ndonjë surprize, në listën e Interit për pasardhësit e tij ka kaluar në avantazh Jan Zomer, kundrejt konkurrentit të tij Antoli Trubin. Zikaltrit janë gati të paguajnë 6 milionë eurot ndaj Bajern Mynihut për t’ua rrëmbyer zviceranin, që gjithsesi vazhdon të insistojë te kërkesa e tij për të qenë portieri titullar i klubit.
Interi ama duket shumë pranë bindjes së 34-vjeçarit, që gjithsesi pritet të humbasë vendin e titullarit edhe te bavarezët pas rikthimit të Manuel Nojerit, arsye për të cilën do të kërkojë një tjetër aventurë. Pavarësisht se janë afër Zomerit, zikaltrit nuk kanë hequr dorë nga Anatoli Trubin, edhe pse pista është vështirësuar disi pas këmbënguljes së Shakhtar Donetskut për 35 milionë euro.
Shifra konsiderohet e lartë për një portier të cilit kontrata i skadon vitine ardhsëm dhe Interi nuk ka dnër medn të shkojë përtej 12 milionë eurove për 21- vjeçarin. Drejtuesit italianë ama kanë një tjetër strategji, atë të përfshirjes së një përqindjeje në favor të ukrainasve në rast rishitjeje të Trubinit, një lëvizje që mund të bindë Shkahtarin të lërë të lirë portierin që ka rënë dakord për transferimin në Serinë A.