Performanca e Vllaznisë në dy ndeshjet e fundit nuk ka patur ndoshta atë shkëlqimin e ndeshjeve të tjera dhe në një analizë të Redi Jupit, ai është munduar të gjejë edhe arsyet që e kanë çuar në këtë paraqitje.
“Partizani- Vllaznia ishte një sfidë shumë interesante që pritej me interes sepse për mendimin tim janë dy ekipe që kanë më shumë cilësi se të tjerat për të shkuar më larg.
Konstatova se Vllaznia luajti pak më ndryshe nga ndeshjet e tjera. Ndoshta ngaqë edhe kjo ngarkesa e ndeshjeve ka patur ndikimin e vet dhe ajo nuk bëri atë lojë që ka bërë gjatë gjithë këtyre javëve.
Ndoshta edhe ngaqë nga ky kalendar i ngjeshur, ka bërë që performanca e disa lojtarëve të bjerë pak. Po flasim për një Vllazni me shkëlqim siç ka qenë deri tani, por një Vllazni të cilës i kishte rënë pak llustra.
Partizani ishte pak më mirë fizikisht në këtë ndeshje. Kjo nuk është një këmbanë alarmi për Vllazninë, por dua të them se duhet të bëjë kujdes. Krymi, Marku, Jonuzi dhe Imeri nuk bënë ndeshjen e tyre të zakonshme.
Kur luan me vendin e dytë, kuptohet që të duhet edhe llustra sepse nuk po luan një ndeshje normale. Ndoshta edhe Dilaver e Hoxhaj nuk e kishin atë energjinë e duhur për të ndihmuar skuadrën ashtu si duhet. Dua të them se Vllaznia më duket se është e kufizuar në zëvendësimet që bën sepse kur i kryen ato, niveli i lojës nuk rritet, por mbase bie pak”./SHKODRA-SPORT.COM/